Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri
Projekti është një bashkëfinancim i Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshillit të Evropës, dhe do të zbatohet nga Këshilli i Evropës. Ai ka një kohëzgjatje prej 48 muajsh.
Cili është qëllimi dhe objektivat e projektit?
Projekti ka për qëllim të forcojë parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri përmes një qasjeje strategjike të bazuar në risk.
Objektivat specifike janë si më poshtë:
- Konsolidimi i zbatimit të politikave kundër pastrimit të parave;
- Përmirësimi i kapaciteteve të bizneseve dhe profesioneve jofinanciare për të menaxhuar risqet e krimit ekonomik.
Kush përfiton nga projekti?
Projekti do të ofrojë udhëzime praktike dhe forcim kapacitetesh për autoritetet publike dhe përfaqësuesit e sektorin privat, përfshi këtu:
- Agjencinë e Inteligjencës Financiare
- Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave
- Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
- Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave
- Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm
- Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsioni dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
- Strukturat e mbikëqyrjes financiare (Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare)
- Sektorin jofinanciar (Shoqata e Avokatëve të Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Ministria e Drejtësisë, Bordi i Mbikëqyrjes Publike)
- Institucionet financiare si dhe bizneset dhe profesionet e caktuara jofinanciare.
Si funksionon projekti?
- Ofron asistencë teknike dhe institucionale për Agjencinë e Inteligjencës Financiare si dhe Autoritetet ligjzbatuese e mbikëqyrëse, me synim forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, masave parandaluese dhe efikasitetin operacional.
- Mbështet zhvillimin e politikave, përputhshmërinë ligjore dhe rregullatore, si dhe masat ligjzbatuese ndaj krimeve financiare dhe risqeve të mundshme.
- Ofron udhëzime praktike dhe trajnime për aktorët e sektorit privat dhe publik për menaxhimin dhe zbutjen e korrupsionit, pastrimit të parave dhe risqeve të financimit të terrorizmit.
Çfarë presim të arrijmë?
- Zbatimi më i lartë dhe më i mirëkoordinuar i politikave kundër pastrimit të parave, në përputhje me standardet Evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
- Përmirësimi i kapaciteteve të bizneseve dhe profesioneve të caktuara jofinanciare për të identifikuar dhe menaxhuar risqet e krimit ekonomik.
- Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe pjesëmarrja në forume ndërkombëtare për të marrë nga praktikat më të mira globale.
Sa është buxheti i projektit?
Projekti ka një buxhet prej EUR 1.177.778; 90% financohet nga SECO dhe 10% nga Këshilli i Evropës.





