Rreth nesh

Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës më 13 korrik 1995. Me anëtarësimin e saj, në Shqipëri u krijua një prani e Këshillit të Evropës e kryesuar nga një Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm. Në qershor 2003, ajo u pasua nga krijimi i një Zyre Informacioni të Këshillit të Evropës.

Në janar 2011, bazuar në Rezolutën (2010)5 mbi Statusin e Zyrave të Këshillit të Evropës, të miratuar nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës në korrik 2010, dhe Konventën e Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, ndërmjet Këshillit të Evropës dhe qeverisë shqiptare u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për krijimin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë si një formë e re institucionale bashkëpunimi, duke zëvendësuar Zyrën e mëparshme të Informacionit.

Si përfaqësim i Sekretarit të Përgjithshëm në Shqipëri, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë rrit dukshmërinë e veprimeve të Organizatës, siguron koordinim efektiv midis Selisë së saj në Strazburg dhe palëve të interesuara në vend, si dhe lehtëson bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Aktualisht, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, e drejtuar nga Kreu i Zyrës, zbaton katërmbëdhjetë veprime dhe projekte nën autoritetin e Drejtorive të Përgjithshme përkatëse të Këshillit të Evropës. Gjashtë prej tyre janë pjesë e programit Instrumenti Horizontal, një kuadër bashkëpunimi i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës që ndihmon përfituesit nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia në përmbushjen e standardeve evropiane. Këto veprime përqendrohen në katër fusha kryesore: (1) sigurimi i drejtësisë; (2) luftimi i korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar; (3) promovimi i antidiskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve të cënueshme, dhe (4) liria e medias.

Iniciativa të tjera të rëndësishme të zbatuara në fushat kryesore përfshijnë: edukimin për qytetari demokratike  (të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim); reforma e administratës publike dhe integriteti zgjedhor (të mbështetur nga qeveria gjermane); promovimi i lirisë së shprehjes dhe mbështetje për ciklin zgjedhor (programe të përbashkëta të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës) dhe lufta kundër krimeve ekonomike (të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Konfederata Zvicerane/Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike).

Përveç kësaj, Zyra mbështet në mënyrë aktive integrimin e romëve duke punuar ngushtë me institucionet kombëtare dhe shoqërinë civile, për të promovuar barazinë, përfshirjen dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve në Shqipëri.

Përtej ndërhyrjeve në vend, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë kontribuon gjithashtu në veprime rajonale, pjesë e kornizës së Instrumentit Horizontal ose iniciativave të tjera rajonale, të tilla si promovimi i demokracisë deliberative në Evropën Juglindore dhe lidhja e të drejtave të njeriut me një mjedis të qëndrueshëm në rajon.

 

  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

adresa

Sheshi Skenderbej
Pallati i Kulturës,
Kati i tretë,
Tiranë, Shqipëri

 +355 44 54 02 01

 E-mail