Demokracia lokale dhe rajonale: një mjet për më tepër liri

Këshilli i Evropës gjithnjë e ka vlerësuar rëndësinë parësore të demokracisë në nivel lokal dhe rajonal. Liria më e madhe është një nevojë që ndihet jo vetëm nga cilido individ, por edhe nga kombi i marrë si një i tërë. Vetëqeverisja lokale duhet të përmbushë nevojat e të gjithë evropianëve në qytete dhe fshatra, zona qëndrore dhe periferike dhe përtej kufijve. Këshilli ndërmori hapin e parë drejt përfaqësimit të autoritetit lokal në 1957, dhe që atëherë është shtrirë nga Islanda në Rusi, dhe nga Norvegjia në Ballkan.

Në 1994, Këshilli i Evropës krijoi Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, si një organ konsultativ për të zëvendësuar Konferencën e mëparshme Drejtuese të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës. Ai punon në bazë të Rezolutës Statutore (2000) 1 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

 

Vizito faqen online të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale

 

Roli i Kongresit

Kongresi:

  • është zëri i rajoneve dhe bashkive në Këshillin e Evropës;
  • siguron një forum ku përfaqësuesit lokalë dhe ata të zgjedhur rajonalë mund të diskutojnë problemet e tyre të përbashkëta, ndajnë eksperiencën e tyre dhe u shprehin pikëpamjet e tyre qeverive;
  • këshillon Komitetin e Ministrave dhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të gjitha aspektet e politikës lokale dhe rajonale;
  • bashkëpunon ngushtë me organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare që përfaqësojnë qeverisjen lokale dhe rajonale;
  • organizon seanca dhe konferenca për të arritur një publik më të gjerë, përfshirja e të cilit është thelbësore në një demokraci që punon;
  • përgatit rregullisht raporte vend për vend mbi situatën e demokracisë lokale dhe rajonale në të gjitha shtetet anëtare dhe aplikante të Këshillit, dhe monitoron në veçanti sesi zbatohen parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale;
  • ndihmon shtetet e reja anëtare me aspektet praktike të progresit të tyre drejt krijimit të vetë-qeverisjes efektive lokale e rajonale.

 

Realitete të reja, synime të reja

Pranimi i shteteve të reja që i përkasin bazave të ndryshme politike dhe ekonomike ka bërë të nevojshme rivlerësimin dhe riformulimin e objektivave të Kongresit për të përfshirë:

  • promovimin e strukturave efektive lokale dhe rajonale në të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, veçanërisht në demokracitë e reja;
  • shqyrtimin e situatës së demokracisë lokale dhe rajonale në shtetet anëtare dhe aplikante;
  • zhvillimin e iniciativave për të mundësuar që qytetarët të marrin pjesë në mënyrë efektive në demokracitë lokale dhe rajonale;
  • përfaqësimin e interesave të qeverisë lokale dhe rajonale në dhënien  e formës së politikës evropiane;
  • nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar për paqe, tolerancë dhe zhvillim të qëndrueshëm me qëllim që të ruajmë rajonet tona për brezat e së ardhmes;
  • nxitjen e krijimit të Euro-rajoneve;
  • vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale.

 

Një asamble me dy dhoma

Kongresi është i ndarë në dy dhoma: Dhoma e Autoriteteve Lokale dhe Dhoma e Rajoneve. Asambleja me të dy dhomat përmban 306 anëtarë titullarë me të drejta të plota dhe 306 anëtarë zëvendës, ku secili prej tyre është një përfaqësues i zgjedhur në një nga mbi 200 000 autoritetet lokale dhe rajonale në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Dhomat alternohen për të zgjedhur Presidentin e Kongresit për një mandat dyvjeçar.

Kongresi mblidhet një herë në vit në Strasburg, ku mirëpret gjithashtu delegacione nga organizata të akredituara evropiane dhe disa shtete jo-anëtare si të ftuar special, ose si vëzhgues.

Komiteti Drejtues, i përbërë nga të gjitha delegacionet kombëtare, mblidhet midis sesioneve plenare të Kongresit gjatë Sesioneve të vjeshtës dhe pranverës.

 Kongresi ndan punën e tij ndërmjet katër komiteteve statutore:

  • Komiteti Institucional i cili ka detyrën e veçantë të përgatisë raporte mbi progresin e demokracisë lokale dhe rajonale në Evropë dhe asistohet nga një Komitet prej ekspertësh të pavarur;
  • Komiteti i Kulturës dhe Arsimit, përgjegjës për median, rininë, sportin dhe komunikimin;
  • Komiteti për Zhvillimin e Qëndrueshëm, përgjegjës për çështjet e mjedisit e planifikimit hapësinor e urban;
  • Komiteti për Kohezionin Social përgjegjës për çështje në lidhje me punësimin, kombësinë, migracionin, marrëdhëniet ndër-komunitare, barazinë midis grave, dhe burrave dhe solidaritetin.

Dhoma e Rajoneve gjithashtu ka një Grup të Veçantë pune për Rajonet me Pushtet Legjislativ;
Drejtori Ekzekutiv i Kongresit është përgjegjës për menaxhimin buxhetor dhe të personelit prej 40 anëtarësh të Sekretariatit të Kongresit.

 

Ndihmë në praktikë

Rrjeti Evropian i Organizatave të Trajnimit për Autoritetet Lokale dhe Rajonale (ENTO)

Ky rrjet jep ndihmë me ekspertë dhe trajnim për vendet e Evropës qëndrore dhe lindore, që kanë mungesa menaxheriale dhe aftësi teknike. Rrjeti ENTO nxit bashkëpunimin midis qendrave të trajnimit të qeverisë lokale e rajonale, duke u krijuar lidhje organizatave kombëtare me organizata të ngjashme në vende të tjera.

Programi i mbështetjes së veçantë për demokracinë lokale dhe rajonale në Evropën qëndrore dhe lindore
Ky program i jep prioritet asistencës në hartimin e legjislacionit të qeverisë lokale. Ai ofron trajnime dhe udhëzime profesionale në reformën institucionale lokale dhe përfshin workshop-e, vizita studimi dhe kurse për kujdesin shëndetësor në qytete, pavarësinë fiskale dhe financimin e qeverisë lokale.

 

 Agjencitë e Demokracisë Lokale (LDA)

Të krijuara në 1993, si pjesë e procesit të paqes në ish-Jugosllavi, LDA-të formojnë një partneritet midis një autoriteti të veçantë në rajon dhe autoriteteve lokale në vende të tjera të Evropës. Ato nxisin respektimin për qeniet njerëzore dhe demokracinë, bashkëpunimin ndërkufitar, dialogun ndërkulturor dhe zhvillimin lokal.

 

 Pjesëmarrja në Paktin e Stabilitetit për Evropën Jug-Lindore

Kongresi luan një pjesë aktive në projektet për forcimin  e demokracisë lokale dhe bashkëpunimin ndërkufitar në Evropën Jug-Lindore, dhe për këtë synim ka krijuar një Grup Pune  të Përfaqësuesve Lokalë dhe Rajonalë të Evropës Jug-Lindore, me përgjegjësi të veçantë për të vijuar me veprimtaritë e Paktit të Stabilitetit.

Ai jep mbështetjen e tij për:

  • organizimin e Forumeve vjetore të Qyteteve dhe Rajoneve të Evropës Jug-Lindore;
  • zhvillimin e rrjetit (NALAS), të Shoqatave Kombëtare të Autoriteteve Lokale të Evropës Jug-Lindore;
  • krijimin e një baze interaktive të dhënash mbi partneritetin me bashkitë dhe rajonet në Evropën Jug-Lindore;
  • përgatitjen e një deklarate mbi politikat e bashkëpunimit ndërkufitar midis autoriteteve lokale dhe rajonale në Evropën jug-lindore.

 

 Udhëzues të qartë legjislativë për të ndihmuar në hartimin e politikave

Karta Evropiane e Vetëqeverisjes (1985) parashtron parimin se vetëqeverisja efektive është thelbësore për demokracinë. Karta shërben si një model për reforma legjislative në demokracitë e reja. Disa shtete i kanë inkorporuar tashmë parimet e saj në kushtetutat e tyre.

Konventa Evropiane Bazë për Bashkëpunimin Ndërkufitar midis Komuniteteve apo Autoriteteve Territoriale (1980) dhe dy protokollet e saj shtesë njohin të drejtën e autoriteteve lokale dhe rajonale për të bashkëpunuar përtej kufijve në sigurimin e shërbimeve publike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Konventa Evropiane për Pjesëmarrjen e të Huajve në Jetën Publike në Nivel Lokal (1992), parashtron parimin e dhënies në rritje të të drejtave civile dhe politike rezidentëve të huaj, duke përfshirë të drejtën për të votuar.
Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicës (1992) ka si synim të ruajë gjuhët rajonale e të pakicës si një komponent unik i trashëgimisë kulturore të Evropës, duke shtrirë përdorimin e tyre në ligje, në shkolla, në publik, në jetën kulturore, ekonomike dhe sociale dhe në media.

Konventa Evropiane mbi Peizazhet (2000) parashtron detyrimet për autoritetet publike që të aprovojnë politika e masa në nivel lokal, rajonal, kombëtar e ndërkombëtar për mbrojtjen, menaxhimin dhe planifikimin e peizazheve nëpër të gjithë Evropën.

Karta Evropiane Urbane (1992) përcakton të drejtat e qytetarëve në qytetet dhe qytezat evropiane. Ajo jep udhëzime praktike për menaxhim të mirë urban duke mbuluar fushën e strehimit, arkitekturën urbane, transportin, energjinë, sportin dhe kohën e lirë, ndotjen e mjedisit dhe sigurinë në rrugë.

Karta mbi Pjesëmarrjen e të Rinjve në Jetën Bashkiake dhe Rajonale (1992), e revizionuar në vitin 2003, parashtron udhëzues për të nxitur të rinjtë të japin kontributin e tyre në vendimet që ata i ndikojnë, dhe të jenë aktivë në ndryshimet shoqërore në zonat e tyre, bashki ose rajon.

 

Projektet në zbatim

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës aktualisht po shqyrton një sërë dokumentesh të tjerë:

  • projekt Kartën për Rajonet Malore, ku parashtrohen udhëzues për të pajtuar zhvillimin dhe konservimin në rajonet malore;
  • projekt Kartën Evropiane të Vetë-Qeverisjes Rajonale, duke plotësuar Kartën Evropiane të Vetë-Qeverisjes Lokale;
  • projekt Kartën për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve.

Shtetet anëtare dhe përfaqësitë e tyre

Shqipëria (4), Andorra (2), Armenia (4), Austria (6), Azerbajxhani (6), Belgjika (7), Bosnja dhe Hercegovina (5), Bullgaria (6), Kroacia (5), Qipro (3), Republika Çeke (7), Danimarka (5), Estonia (3), Finlanda (5), Franca (18), Gjeorgjia (5), Gjermania (18), Greqia (7), Hungaria (7), Islanda (3), Irlanda (4), Italia (18), Letonia (3), Lihtenshtejni (2), Lituania (4), Luksemburgu (3), Mali i Zi (3), Malta (3), Moldavia (5), Monako (2), Holanda (7), Norvegjia (5), Polonia (12), Portugalia (7), Rumania (10), San Marino (2), Serbia (7), Republika Sllovake (5), Sllovenia (3), Spanja (12), Suedia (6), Zvicra (6), “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” (3), Turqia (12), Ukraina (12), Mbretëria e Bashkuar (18).