Asambleja Parlamentare është një nga dy organet kryesore statutore të Këshillit të Evropës dhe përfaqëson tendencat kryesore politike në shtetet e tij anëtare. Asambleja konsiderohet si forca dinamike në shtrirjen e bashkëpunimit evropian për të gjitha shtetet demokratike në mbarë Evropën.

“Ndërgjegjja demokratike” e Evropës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ishte e para asamble evropiane e krijuar në historinë e kontinentit tonë. Me delegacione të 46 parlamenteve kombëtare, ajo është asambleja evropiane me më bazë të gjerë.

Asambleja ka lirinë për të zgjedhur planin e vetë të punës; ajo merret me çështje të rëndësisë aktuale ose potenciale, duke përfshirë problemet sociale dhe aspektet e politikës ndërkombëtare.

Reflektimet e Asamblesë japin udhëzues të rëndësishëm për aktivitetet e Komitetit të Ministrave dhe sektorët ndërqeveritar të Këshillit të Evropës, dhe gjithashtu influencojnë qeveritë kur anëtarët ia komunikojnë ato parlamenteve të tyre kombëtare.

Ngjarjet historike në Evropën qëndrore dhe lindore në fillim të viteve 1990-të parashtruan për Asamblenë një sfidë unike, atë të ndihmës ndaj këtyre vendeve për ti sjellë ato në grupin e demokracive evropiane dhe të nxitjes për bashkëpunim të vërtetë parlamentar midis të gjitha kombeve evropiane. Asambleja, kështu, kontribuon në ndërtimin e një Evrope më të madhe pa vija ndarëse.

Statusi i të ftuarit special, krijuar nga Asambleja Parlamentare në 1989 lejonte delegacionet parlamentare nga demokracitë pluraliste, të cilat sapo kishin lindur në vendet e Evropës qëndrore dhe lindore, e që nuk ishin anëtarë me të drejta të plota të Organizatës, të ndiqnin sesionet plenare të Asamblesë dhe mbledhjet e komitetit. Kontaktet dhe shkëmbimet si rrjedhojë, nxitën procesin e demokratizimit në këto vende dhe lehtësuan pranimin e tyre në Këshillin e Evropës.

 

Struktura dhe organizimi: duke reflektuar mbi demokracitë evropiane

Të 315 anëtarët e Asamblesë Parlamentare dhe zëvendësit e tyre zgjidhen ose emërohen nga parlamentet kombëtare që vijnë nga vetë anëtarët e tyre. Çdo vend ka midis 2 deri 18 përfaqësues, në varësi të madhësisë së popullatës. Delegacionet kombëtare të Asamblesë përbëhen në mënyrë të tillë që të sigurojnë një përfaqësim të drejtë të partive politike ose grupeve në parlamentet e tyre.

Asambleja ka pesë grupe politike: Grupin Socialist (SOC), Grupin e Partive Popullore Evropiane (EPP/CD), Grupin Demokratik Evropian (EDG), Grupin Liberal, Demokratik dhe të Reformatorëve (LDR), dhe Grupin e së Majtës së Bashkuar Evropiane (UEL). Disa anëtarë të Asamblesë zgjedhin që të mos i përkasin asnjë grupi politik.

Asambleja mblidhet katër herë për një javë në sesion plenar në Sallën e Pallatit të Evropës (Palais de l’Europe) në Strasburg. Sesionet janë publike. Ajo mban edhe një takim në pranverë në një nga shtetet anëtare.

Asambleja zgjedh presidentin e saj nga anëtarët përbërës, tradicionalisht për afate tre vjeçare të njëpasnjëshme. Presidenti, Nënpresidenti (19 deri më sot), Kryetarët e 5 grupeve politike dhe Kryetarët e dhjetë komiteteve formojnë Byronë e Asamblesë.

Asambleja gjithashtu zgjedh Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës dhe Zëvendës Sekretarin, Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë, gjyqtarët e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Komisionerin për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës.

Puna e saj përgatitet nga komitete të specializuara që merren me: çështjet politike, çështjet ligjore dhe të drejtat e njeriut, çështjet sociale, të shëndetit dhe të familjes, kulturën, shkencën dhe arsimin, ambientin dhe bujqësinë, çështjet në nivel lokal dhe rajonal, çështjet ekonomike dhe të zhvillimit, migracionin, refugjatët dhe demografinë, mundësitë e barabarta për gratë dhe burrat, rregullat e procedurës dhe imuniteteve dhe respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të ndërmarra nga shtetet anëtare.

 

Debatet mbi ngjarjet evropiane dhe botërore

Plani i punës për çdo sesion prezanton debate mbi ngjarjet evropiane dhe botërore. Në veçanti, Asambleja fokusohet mbi çështjet ku nevojiten veprime në nivelin evropian. Personalitete të mirënjohur dhe kryetarët e shteteve nga e gjithë bota kanë kontribuar në këto debate (Papa Gjon Pali II, Mikhail Gorbachev, Václav Havel, Viktor Yushchenko dhe shumë të tjerë).

Asambleja gjithashtu përgatit një forum diskutimi për organizatat e tjera ndërkombëtare si për shembull OECD, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe disa agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara.

Organizatat Jo-Qeveritare marrin pjesë në një numër komitetesh si vëzhgues dhe japin një kontribut të vlefshëm për ngjarjet e rëndësishme të organizuara nga Asambleja.

 

Iniciativat dhe rezultatet

Që nga viti 1989, Asambleja ka luajtur një rol aktiv në menaxhimin e krizës nëpër të gjithë Evropën dhe debatet shpesh janë bazuar në zbulimet e bëra në vizitat në terren dhe në dialogun e vazhdueshëm me shtetet e interesuara; në këtë mënyrë, ajo ka forcuar rolin politik të Këshillit të Evropës.

Tekstet e miratuara nga Asambleja japin udhëzues të rëndësishëm për Komitetin e Ministrave, qeveritë kombëtare, parlamentet, partitë politike dhe fushat e tjera të rëndësishme të shoqërisë; ajo ka iniciuar gjithashtu shumë traktate ndërkombëtare (Konventat Evropiane) dhe instrumentë të tjerë ligjorë duke formuar bazat e një sistemi të vërtetë Evropian ligjor.
Më e njohura e këtyre është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e hapur për nënshkrim në 1950 (shih pjesën mbi “Të Drejtat e njeriut: mbrojtje, nxitje dhe parandalim”). Asambleja konsultohet nga Komiteti i Ministrave për të gjitha projekt – konventat përpara se ato të miratohen.

Ajo gjithashtu mban konferenca të zakonshme, simpoziume dhe seanca parlamentare publike mbi çështje me tema madhore si: dhuna, intoleranca, mjedisi, imigracioni, drogat, bioetika dhe media. Ato marrin formën e një dialogu midis parlamentarëve dhe specialistëve.

 

Krijimi i partneriteteve parlamentare

Asambleja ka marrëdhënie me jashtë me parlamentet kombëtare si të shteteve anëtare, ashtu edhe atyre jo-anëtare, me asambletë parlamentare ndërkombëtare dhe organizatat ndërqeveritare dhe këto udhëhiqen nga vendimet e Byrosë së Asamblesë.
Marrëdhëniet me parlamentet kombëtare mbulohen nga dispozitat e anëtarësisë, të të ftuarit të posaçëm dhe të statusit të vëzhguesit; Asambleja mban gjithashtu kontakte me asamble të tjera parlamentare ndërkombëtare, si për shembull, me Parlamentin Evropian, Unionin Evropian Perëndimor, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Unionin Ndër-Parlamentar, Beneluksin, Këshillin Verior, PABSEC-un dhe CIS-në.

 

E ardhmja  

Që kur u themelua mbi pesëdhjetë vjet më parë, Asambleja Parlamentare ka qenë mjaft e hapur. Në veçanti, ajo është përshtatur me ndryshimet dramatike të viteve të fundit. Asnjë forum tjetër ndërkombëtar parlamentar nuk ka qenë i pajisur kaq mirë për të integruar demokracitë e reja të Evropës Qëndrore e Lindore në familjen e kombeve evropiane. Fakti që anëtarët e saj janë gjithashtu anëtarë të parlamenteve të tyre kombëtare përbën një avantazh; kjo gjë e mban Asamblenë në kontakt të ngushtë me politikat e tyre kombëtare.

Asambleja Parlamentare ka luajtur një rol madhor në përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim. Ajo mbështet demokracitë në zhvillim dhe monitoron përmbushjen e angazhimeve të tyre kur këto vende pranohen si anëtare të Këshillit të Evropës.

 Cili është ndryshimi?
  • Asambleja Parlamentare përmban anëtarët e parlamenteve kombëtare të të gjithë 46 shteteve anëtare të Këshillit.
  • Parlamenti Evropian përmban përfaqësues të zgjedhur drejtpërdrejt nga të 25 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Shtetet anëtare dhe përfaqësimi i tyre

Shqipëria (4), Andorra (2), Armenia (4), Austria (6), Azerbajxhan (6), Belgjika (7), Bosnja dhe Hercegovina (5), Bullgaria (6), Kroacia (5), Qipro (3), Republika Çeke (7), Danimarka (5), Estonia (3), Finlanda (5), Franca (18), Gjeorgjia (5), Gjermania (18), Greqia (7), Hungaria (7), Islanda (3), Irlanda (4), Italia (18), Letonia (3), Lihtenshtejni (2), Lituania (4), Luksemburgu (3), Mali i Zi (3), Malta (3), Moldavia (5), Holanda (7), Norvegjia (5), Polonia (12), Portugalia (7), Rumania (10), San Marino (2), Serbia (7), Republika Sllovake (5), Sllovenia (3), Spanja (12), Suedia (6), Zvicra (6), "ish Republika Jugosllave e Maqedonisë" (3), Turqia (12), Ukraina (12), Mbretëria e Bashkuar (18).

Status vëzhguesi

Parlamentet e Kanadasë, Izraelit, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara gëzojnë statusin e vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare.

 Statusi i të ftuarit të posaçëm

 Statusi i të ftuarit special të Parlamentit të Bjellorusisë u pezullua në 13 janar 1997.

Vizito faqen online të Asamblesë Parlamentare >>