Këshilli i Evropës forcoi kapacitetet e audituesve shqiptarë për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, përmes një sërë sesionesh trajnimi të zhvilluara në Tiranë, më 11–13 nëntor 2026.
Si mbrojtësit kryesorë të sistemit financiar, audituesit luajnë një rol vendimtar në identifikimin dhe zvoglimin e rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Për të forcuar kuptimin dhe zbatimin praktik të detyrimeve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT) në këtë sektor, Këshilli i Evropës, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, organizoi tri sesione trajnimi. Këto sesione mblodhën së bashku 215 nga 260 audituesve aktivë, duke përfaqësuar mbi 82% të profesionistëve aktivë të auditimit.
Sesionet mbuluan aspekte kyçe të pajtueshmërisë në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/FT), duke përfshirë rreziqet specifike për sektorin, detyrimet ligjore dhe rregullatore, kontrollet e brendshme, vlerësimet e bazuara në rrezik, kujdesin e duhur ndaj klientit, pronësinë përfituese, raportimin e transaksioneve të dyshimta, mbajtjen e regjistrave dhe sanksionet financiare të shënjestruara. Gjithashtu, u trajtuan ndikimet që rrjedhin nga zhvillimet në kuadrin e ri legjislativ të Bashkimit Evropian për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/FT) mbi profesionin e kontabilitetit.
Shembujt praktikë dhe studimet e rasteve specifike në këtë fushë, të udhëhequra nga ekspertë, iu mundësuan pjesëmarrësve për të zbatuar qasje të bazuara në risk në skenarë të jetës reale, si dhe të forconin aftësinë e tyre për të identifikuar, vlerësuar, zbutur dhe raportuar risqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në kuadër të profesionit të tyre. Trajnimi u mbështet më tej nga "Udhëzuesi për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftën kundër Financimit të Terrorizmit (PPP/FT) për Profesionin e Kontabilitetit", i hartuar në kuadër të projektit.
Duke përmirësuar njohuritë dhe kapacitetet praktike të audituesve, ky aktivitet kontribuon në forcimin e përputhshmërisë me rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (PPP/FT) në të gjithë sektorin jo-financiar, duke nxitur zbatimin efektiv të standardeve ndërkombëtare dhe duke përforcuar përpjekjet e Shqipërisë për të parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri, i bashkëfinancuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshilli i Evropës, dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës.


