Profesionistë nga institucionet kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri, duke përfshirë prokurorë, hetues, punonjës të policisë, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Doganave dhe të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, morën pjesë në një sërë trajnimesh rajonale me qëllim forcimin e aftësive për të hetuar rastet komplekse të pastrimit të parave.
Aktivitetet synuan forcimin e kapaciteteve të prokurorëve, oficerëve të policisë dhe autoriteteve të tjera kompetente, me qëllim kryerjen efektive të hetimeve financiare proaktive paralelisht me ato të pastrimit të parave. Përmes rasteve praktike të udhëhequra nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe diskutimeve interaktive, 51 pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre mbi teknikat e hetimit financiar. Konkretisht, ata përmirësuan aftësitë në përdorimin e inteligjencës financiare, identifikimin e tipologjive të ndërlikuara të pastrimit të parave, gjurmimin dhe rikuperimin e pasurive të paligjshme, duke siguruar njëkohësisht prova financiare të qëndrueshme për të mbështetur ndjekjen dhe hetimin e suksesshëm të ketyre veprave penale. Trajnimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës gjithashtu ofruan një platformë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira, duke nxitur një bashkëpunim më të ngushtë rajonal në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimeve të lidhura financiare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të sinjaleve paralajmëruese “red flags”, adresimit të sfidave praktike brenda kuadrit ligjor shqiptar, si dhe nxjerrjes së mësimeve nga hetimet dhe ndjekjet penale të mëparshme. Këto aktivitete nxitën gjithashtu një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet agjencive ligjzbatuese, organeve të prokurorisë dhe strukturave të inteligjencës financiare, gjë që është thelbësore për zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e suksesshme penale të veprave të pastrimit të parave.
Kjo iniciativë është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Këshillit të Evropës ndaj autoriteteve shqiptare për t'u përafruar me standardet ndërkombëtare dhe për të përmirësuar kapacitetet në parandalimin, zbulimin dhe ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe financiar.
Aktivitetet u organizuan me mbështetjen e përbashkët të Projektit kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, i cili zbatohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, pjesë e " Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, dhe projektit Lufta kundër Pastrimit të Parave në Shqipëri, i cili bashkëfinancohet nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatohet nga ky i fundit.



