Back KOMUNIKIM PËR MEDIAT: Platforma e njoftimit elektronik për përdoruesit e gjykatës – një hap përpara në dixhitalizimin e gjyqësorit në Shqipëri

KOMUNIKIM PËR MEDIAT: Platforma e njoftimit elektronik për përdoruesit e gjykatës –  një hap përpara në dixhitalizimin e gjyqësorit në Shqipëri

Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në prani të përfaqësuesve të Gjykatës së Rrethit të Tiranës dhe Dhomës së Avokatëve, është lançuar sot platforma e parë e njoftimit elektronik që synon përmirësimin e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve ndaj përdoruesve të gjykatave.

Kjo platformë trajton një nga çështjet sistematike në gjyqësorin shqiptar duke siguruar një komunikim në kohë reale për të gjithë avokatët dhe përdoruesit e gjykatave dhe informacion të detajuar mbi thirrjet dhe njoftimet gjyqësore në përputhje me dispozitat ligjore aktuale.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, theksoi se: “Shtrirja e instrumenteve të tilla të komunikimit dixhital, jo vetëm në të gjitha gjykatat por edhe për të gjithë aktorët, do t’i jepte fund një problemi madhor dhe kronik që sistemi ynë ka sot me kohëzgjatjen dhe zvarritjen e gjykimeve si edhe në sigurimin e një pjesmarrjeje efektive të të gjitha palëve të interesuara dhe publikut”.

Jutta Gützkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë e platformës online drejt një sistemi drejtësie më efikas për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët shqiptarë. “Qëllimi që duhet arritur është reduktimi i kohëzgjatjes së procedurave duke siguruar të drejtën e qytetarëve për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, përfundoi Gützkow.

Lenka Vitkova, Shefe e Seksionit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, nënvizoi ndikimin e teknologjive të reja në ofrimin e shërbimeve cilësore për publikun. “BE-ja po mbështet me krenari Shqipërinë në ngritjen e një sistemi të ri dixhital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, që përmirëson shërbimet publike në gjyqësor. Këto mjete të reja do të jenë të suksesshme vetëm nëse bazohen në bashkëpunim profesional, trajnim dhe përkushtim”, tha Vitkova.

Fatmir Braka, Zv.Kryetar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, në fjalën e tij shprehu mbështetjen dhe rëndësinë e kësaj platforme për gjykatat. “Krijimi i këtij sistemi elektronik dhe aksesi në të i avokatëve në çdo kohë nëpërmjet pajisjeve elektronike si telefona e tablete, do të ndihmonte dhe do të shmangte vonesat dhe vështirësitë prezente.”, u shpreh Braka.

Testimi i platformës nisi në fund të qershorit 2022, i ndjekur nga ngritja e kapaciteteve të stafit të Gjykatës së Rrethit Tiranë. Ajo synon të përmirësojë procesin e mbajtjes së seancave të planifikuara gjyqësore, të optimizojë burimet njerëzore dhe të rrisë efektivitetin e kostove të sistemit gjyqësor. Nëpërmjet zbatimit të hartës së re gjyqësore, platforma do të shtrihet në të gjitha gjykatat e tjera në vend.

Platforma e komunikimit elektronik, është një iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, e mbështetur nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri” (SEJIII) në kuadër të “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Kontakte:

  • Lorena Gerveni – Këshilli i Lartë Gjyqësor; Tel: +355694734246 / email: [email protected]
  • Besnik Baka – Oficer Komunikimi – Instrumenti Horizontal II; Tel: +355692178430 / email: [email protected]

 

 

 

Tiranë 7 tetor 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page