Back

Prezantimi i studimit “Përtej përkufizimeve. Thirrje kundër gjuhës së urrejtjes në Shqipëri” në Tiranë, dhe aplikacioni i ri celular i Komisionerit kundër Diskriminimit për të raportuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes

NJOFTIMI PËR SHTYP
Tiranë, Shqipëri 11 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Prezantimi i studimit “Përtej përkufizimeve. Thirrje kundër gjuhës së urrejtjes në Shqipëri” në Tiranë, dhe aplikacioni i ri celular i Komisionerit kundër Diskriminimit për të raportuar gjuhën e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) në Shqipëri prezantoi sot studimin “Përtej përkufizimeve. Thirrje kundër gjuhës së urrejtjes në Shqipëri”, i cili parashikon një qasje të përditësuar dhe gjithëpërfshirëse ndaj gjuhës së urrejtjes duke përfshirë të dhëna statistikore mbi perceptimin e gjuhës së urrejtjes në Shqipëri.

Sipas studimit “… 58% e të anketuarve shqiptarë mendojnë se gjuha e urrejtjes është një problem kombëtar, aq më tepër gjatë dhe pas pandemisë, pasi media ka një rol të veçantë në përhapjen e saj. Për sa i përket nxitësve të gjuhës së urrejtjes, varfëria (54 %), statusi social, opinioni politik dhe pamja fizike (44 %) perceptohen si arsyet kryesore të diskriminimit. Sipas të anketuarve, gjuha e urrejtjes përhapet jo vetëm në mediat sociale, por edhe në shkolla, universitete dhe vende pune dhe rreth 46% e të anketuarve nga grupet vulnerabël kanë përjetuar personalisht gjuhën e urrejtjes në jetën e tyre”.

Studimi, i përgatitur me mbështetjen e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri”, u prezantua para aktorëve përkatës vendas dhe ndërkombëtarë, në një aktivitet publik në Tiranë. Bazuar në gjetjet e tij, studimi ofron për aktorët përkatës rekomandime të rëndësishme se si të qasin dhe trajtojnë gjuhën e urrejtjes në kontekstin shqiptar.

Aktiviteti u hap nga z. Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri, i cili përshëndeti të pranishmit duke theksuar se: “Rëndësia e këtyre llojeve të studimeve dhe mjeteve monitoruese qëndron në faktin se lufta kundër gjuhës së urrejtjes nuk duhet të jetë vetëm ligjore, por edhe sociale dhe kulturore”.

Znj. Jutta Gützkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj theksoi se “Duhet të kujtojmë se diskriminimi mund t’i ndodhë secilit prej nesh dhe këto mjete të paraqitura sot do të ndihmojnë ata që kanë nevojë të raportojnë raste të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimi".

Znj. Lenka Vitkova, Drejtuese Sektori, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, mori fjalën në këtë aktivitet duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e këtij studimi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet evropiane në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit. “Ky fenomen ekziston kudo, në Ballkanin Perëndimor dhe gjithashtu në vendet e BE-së. Në raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë, BE-ja pranon se kuadri ligjor dhe i politikave për mosdiskriminimin është përgjithësisht në përputhje me standardet e BE-së. Megjithatë, zbatimi i kornizës ligjore kundër diskriminimit duhet forcohet më tej”, theksoi ajo.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit ripohuan përpjekjet e vazhdueshme për të adresuar rastet më ekstreme të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri, duke theksuar se koordinimi i ngushtë midis autoriteteve publike përkatëse, medias dhe organizatave të shoqërisë civile është thelbësor për të siguruar që incidentet e gjuhës së urrejtjes të adresohen në mënyrën e duhur dhe viktimat e saj të mbrohen.

Me këtë rast, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi prezantoi aplikacionin celular të krijuar së fundmi, KMD App, i disponueshëm në Android në Google play dhe Iphone në App Store, i cili do të shërbejë si një mjet praktik dhe informues për publikun mbi antidiskriminimin si dhe për të raportuar raste të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes në Shqipëri. Aplikacioni KMD është zhvilluar gjithashtu në kuadër të projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës "Promovimi i diversitetit dhe barazisë në Shqipëri", zbatuar në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019- 2022

Për më shumë informacion
Besnik Baka, Oficer Komunikimi - Instrumenti Horizontal II - besnik.baka@coe.int / +355692178430)

 

 

 


Kontakte Kontakte

 +355 4 45 40 201

E-mail