Përfaqësues të lartë nga Avokatura e Shtetit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia për Trajtimin e Pronës zhvilluan një diskutim konstruktiv mbi sfidat ligjore dhe institucionale që lidhen me regjistrimin e pronës në Shqipëri dhe mënyrën e përmbushjes së jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Takimi, i organizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, u përqendrua në draftin e gjetjeve të Raportit Analitik, të mbështetur nga projekti D-REX III, mbi kuadrin ligjor dhe institucional mbi regjistrimin e pronës në Shqipëri, i hartuar për të mbështetur Avokaturën e Shtetit, në rolin e saj si Agjent Qeveritar, për përgatitjen e një Plani Veprimi për ekzekutimin efektiv të vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në çështjen 'Ramaj kundër Shqipërisë'.[1]
Gulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, mori pjesë në takim, duke nënvizuar rëndësinë institucionale dhe mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës në proceset e ekzekutimit të vendimmarrjes së Gjykatës mbi Shqipërinë. Për më tepër, pjesëmarrja e kolegëve nga Departamenti për Ekzekutimin e Vendimeve të Këshillit të Evropës, theksoi më tej rëndësinë e këtij takimi si pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të siguruar përputhshmërinë me standardet evropiane të të drejtave të njeriut.
Raporti Analitik, i përgatitur nga ekspertja e Këshillit të Evropës, Aulona Hazbiu, përshkruan rekomandimet kryesore për të përmirësuar koordinimin institucional, për të forcuar zbatimin e kuadrit ligjor vendas dhe për të përafruar praktikat me standardet e GJEDNJ-së. Diskutimet u përqendruan në hapat praktikë për zbatimin e rekomandimeve, caktimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e një udhërrëfyesi për përgatitjen e Planit të Veprimit. Shkëmbimi kontribuoi gjithashtu në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ky aktivitet është pjesë e një objektivi më të gjerë të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, për të forcuar kapacitetet vendase për ekzekutimin efektiv dhe në kohë të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri, veçanërisht në çështjet komplekse që lidhen me të drejtën e pronësisë. Ai realizohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri” (D-REX III), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe i zbatuar nga Këshilli i Evropës në kuadër të programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
[1] Shih kërkesën nr. 17758/06.


