160 ekspertë nga 44 vende u mblodhën nga 25–27 maj në mbështetje të njohjes automatike akademike të kualifikimeve. Për më tepër, pjesëmarrësit diskutuan rolin e inteligjencës artificiale në njohjen e kualifikimeve, mbështetjen e lëvizshmërisë dhe transparencës në sistemet arsimore përmes njohjes automatike, si dhe rëndësinë e ndërtimit të shoqërive të afta dhe konkurruese që gjithashtu promovojnë përfshirjen e refugjatëve. Ky aktivitet shënoi takimin e 32-të vjetor të Rrjetit Evropian të Qendrave të Informacionit dhe Qendrave Kombëtare për Njohjen Akademike në Bashkimin Evropian (ENIC-NARIC) , i përbërë nga qendrat kombëtare të informacionit për njohjen e kualifikimeve akademike në Evropë. Këto qendra kanë kontribuar për mbi 40 vjet në mbështetje të ndërkombëtarizimit, lëvizshmërisë dhe transparencës në njohjen e kualifikimeve.
Takimi u zhvillua në Universitetin e Arteve dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe u hap të hënën në mëngjes nga Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë.
Fjalët e mirëseardhjes, të drejtuara nga Villano Qiriazi, Kreu i Departamentit të Arsimit në Këshillin e Europës, bashkëorganizator i këtij aktiviteti, përfshinë kontribute nga Hubert Perr, Kreu për Bashkëpunimin pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe nga përfaqësues të UNESCO-s dhe Komisionit Evropian.
Sesione të aktivitetit u përqendruan gjithashtu në diskutimin e një instrumenti të mundshëm ligjor, të koordinuar nga Këshilli i Evropës, për të eksploruar mënyra për të luftuar mashtrimin në arsim në fushën e njohjes automatike dhe përmirësimin e cilësisë së proceseve të njohjes automatike dhe të programit Erasmus+. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për prezantimin e projekt-rekomandimit të Komitetit të Ministrave mbi kualifikimet dhe kompetencat gjuhësore të refugjatëve në Evropë, si dhe për të paraqitur Unioni e Aftësive të Komisionit Evropian dhe zhvillimet lidhur me Konventat globale dhe rajonale të UNESCO-s për njohjen.
