Gjetjet e studimit të parë kombëtar, zhvilluar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar me qëllim përcaktimin e shpeshtësisë dhe karakteristikave të bullizmit në shkolla, u prezantuan në një konferencë të organizuar javën e kaluar në Tiranë. Ky studim u zhvillua në 141 shkolla në 12 Qarqet e Shqipërisë në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri”.
Sipas studimit të Këshillit të Evropës “Bullizmi dhe Ekstremizmi në Sistemin Arsimor në Shqipëri”:
- 20% e nxënësve shqiptarë nga klasa e IV deri në klasën XII në shkollat publike dhe private pohuan të jenë të përfshire në dukurinë e bullizmit në shkollë.
- 45% e nxënësve pohuan bullizmin psikologjik, 37% verbal dhe 33% fizik si format më të përhapura të manifestimit të kësaj dukurie.
- Djemtë janë më të përfshirë në fenomenin e bullizmit në dukurinë e bullizmit sesa vajzat.
- Bullizmi është më i pranishëm në klasën e XI-të dhe në klasën e V-të dhe “zonat e nxehta” ku bullizmi ndodh më shpesh janë klasat (pa praninë e mësuesëve), oborri i shkollës dhe korridoret.
- 73% e mësuesve të intervistuar mendojnë se paraqitja fizike është arsyeja kryesore pse nxënësit bien pre e dukurisë së bullizmit.
- 77% e mësuesve pranuan se nuk kishin marrë trajnime mbi çështje të tilla dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre u shprehën të pasigurtë mbi mënyren e trajtimit të kësaj sjellje.
- 87% e mësuesve dhe prindërve sugjeruan se mënyra më efektive për të adresuar bullizmin mund të jenë politikat kundër bullizmit në shkolla dhe trajnim i vazhdueshëm i mësuesve dhe stafit shkollor për të parandaluar dhe për të trajtuar këto raste.
- Sipas mësuesve, 1 në 5 nxënës përdor terma ekstremiste ose të gjuhës së “urrejtjes”, ndërkohë që 1 në 8 mësues përdor këto terma.
- 98% e mësuesëve besojnë se strategjitë më efektive për të parandaluar ekstremizmin në shkolla janë bisedat me nxënësit mbi pasojat e ekstremizmit të dhunshëm, teknikat e mësimit të nxënësve mbi zgjidhjen e konflikteve duke përfshirë ndërmjetësimin, informimin e prindërve dhe të mësuesve për të njohur shenjat e para të shfaqjes të ekstremizmit dhe radikalizmit.
Ky studim sasior u zhvillua në bashkëpunim më Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Institutin e Studimit të Opinionit Publik dhe në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit bazuar në pyetësorin e Olweus si instrument kryesor i standartizuar dhe i përshtatur në kontekstin shqiptar.
Një kampion prej 6907 të intervistuarish, nga ku 2377 nxënës, 3560 mësues dhe 970 prindër morën pjesë në këtë studim të realizuar gjatë periudhës Janar-Mars 2017.
Gjetjet kryesore të studimit kombëtar mbi bullizmin dhe ekstremizmin në sistemin arsimor në Shqipëri
