Back “Laboratorët për Demokraci” në mbarë Shqipërinë po ndryshojnë mënyrën se si nxënësit mësojnë dhe angazhohen

“Laboratorët për Demokraci” në mbarë Shqipërinë po ndryshojnë mënyrën se si nxënësit mësojnë dhe angazhohen

Është një e martë e nxehtë në Tiranë, i drejtohemi Gjimnazit “Sami Frashëri”, ku takojmë Irën dhe Aleksandrin, të dy në vitin e tyre të fundit. Së bashku vizitojmë “Laboratorin për Demokraci” inauguruar së fundmi, i cili nuk është një klasë e zakonshme. Është një hapësirë fleksibile dhe interaktive e cila ka një platformë digjitale me ekran me prekje. Mobilje modulare krijojnë një ambient dinamik për punë në grup, debate apo mësim pjesëmarrës, ndërsa ofron një gamë të gjerë materialesh burimore mbi qytetarinë demokratike. “Mësimi dhe të mësuarit jo vetëm bëhen më interaktive dhe interesante falë mjeteve që kemi në këtë laborator, por nxisin edhe bashkëpunimin dhe përfshirjen,” tregon Ira pa fshehur entuziazmin, ndërsa lëviz me shpejtësi gishtat në sipërfaqen e ekranit të madh me prekje, ku shfaqen vizualisht detaje të një mësimi në gjeografi. Aleksandri tund kokën duke pohuar dhe shton: “Tani mund t’i prekim lëndët konkretisht, në mënyrë praktike, gjë që ka ndryshuar në themel mënyrën e të mësuarit në shkollë.”

Një shkollë e transformuar: Mësim fleksibel dhe qytetari aktive
“Laboratori për Demokraci” nuk është klasë e zakonshme. Mësuesja Marsida Shehi, e cila ka ndjekur zhvillimin e laboratorit që në fillimet e tij, e sheh ndryshimin çdo ditë: “Laboratori është fleksibël dhe mbështet një ‘qasje gjithë-shkollore’. Përdoret në çdo lëndë: qytetari, gjeografi, letërsi dhe teknologji informacioni. Të mësuarit bëhet i prekshëm, dhe të gjithë nxënësit kanë mundësinë të ndërveprojnë me mjete vizuale por edhe me njëri-tjetrin.”
Ndërkohë, Aleksandri, që është edhe President i Qeverisë së Nxënësve, ndan përvojën e tij personale: “Tani nuk jemi të kufizuar vetëm te teoria apo të mësuarit manual. Tani kemi mundësinë të eksplorojmë më shumë, të bëjmë pyetje dhe të eksperimentojmë…” Ndërsa flet, ai demonstron mundësitë e pafundme të platformës digjitale duke eksploruar modulin mbi “Rrjetet Sociale, Demokracia dhe të Drejtat e Njeriut”.
Kur pyetet për përfitimet e këtij Laboratori, Drejtoresha e Gjimnazit “Sami Frashëri”, Majlinda Ziu, thekson se ky ndryshim po formon një mentalitet të ri në sistemin arsimor në Shqipëri: “Iniciativa ka gjallëruar gjithë shkollën, duke dhënë formë konkrete koncepteve abstrakte të të drejtave të njeriut dhe shtetësisë. Nuk po formojmë më vetëm nxënës që mësojnë mësimet përmendësh, por po rrisim qytetarë të përgjegjshëm dhe të pavarur, të cilët nesër do të dinë të kontribuojnë në mënyrë aktive në shoqërinë tonë.”

Laboratori përtej mureve: Komunitet dhe ndërlidhje
Një dimension themelor i filozofisë së Këshillit të Evropës është shkolla si një qendër komunitare e hapur. Në këtë frymë, laboratori hap dyert edhe për komunitetin e gjerë lokal. Nëpërmjet programit “Vullnetarizmi Digjital,” nxënësit mund t’i ndihmojnë të moshuarit lokalë, të promovojnë përfshirjen dhe njohuritë digjitale. Kështu, gjyshet dhe gjyshërit ftohen të vizitojnë laboratorin, ku asistohen për të hapur llogari personale në platformën e-Albania, marrin ndihmë si të kenë qasje në shërbime publike të nevojshme dhe shërbime të tjera thelbësore ‘online’. “Kjo nxit dialogun ndër breza dhe forcon solidaritetin. Të moshuarit ndihen të vlerësuar duke ndarë përvojën e tyre dhe nuk ndihen të përjashtuar nga inovacioni i së tashmes, ndërsa nxënësit e rinj praktikojnë qytetari aktive duke ndihmuar ata që kanë nevojë,” thotë mësuesja Marsida.

Ndikimi në të gjithë Shqipërinë: Një rrjet në rritje i edukimit demokratik
E gjithë kjo nuk është një rast i izoluar. Janë 17 laboratorë që po funksionojnë në shkolla të ndryshme, përfshirë ato në Divjakë, Shkodër, Tropojë, Gjirokastër, Devoll, Elbasan, Tiranë dhe të tjera. Këto laboratorë i shërbejnë më shumë se 9,524 nxënësve dhe 623 mësuesve në mbarë Shqipërinë.
Këto hapësira janë pajisur me një bazë të gjerë materialesh burimore nga Departamenti i Arsimit të Këshillit të Evropës, të përshtatura për kontekstin shqiptar. Seritë e botimeve dhe udhëzuesve të dedikuara për nxënësit, mësuesit dhe prindërit janë të disponueshme në raftet e laboratorit, duke adresuar tema të rëndësishme si edukimi për shtetësi digjitale, plane konkrete mësimore mbi ‘fake-news’, aktivizmin e të rinjve, parandalimin e bullizmit kibernetik dhe shumë tema të tjera.

Ndërsa Ira dhe Aleksandri presin të diplomohen vitin e ardhshëm, ata ndjejnë ndikimin që Laboratori për Demokraci ka, në çdo mësim dhe bisedë mes nxënësve. Ata i përdorin këta laboratorë innovative jo vetëm për të mësuar, por edhe për të udhëhequr rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur, ku dijet, qytetaria digjitale dhe kultura demokratike ecin krah për krah.


“Laboratorët për Demokraci” u zhvilluan me mbështetjen e projektit “Forcimi i Edukimit për Shtetësi Demokratike në Shqipëri” të zbatuar nga Këshilli i Europës dhe financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).

 

 

Tiranë / Shqipëri 21 Korrik 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

Këshilli i Evropës ndihmon në rritjen e mbrojtjes të të drejtave të grupeve vulnerabël nëpërmjet aplikimit të qasjes anti-diskriminuese në sistemin arsimor formal në Shqipëri, duke u bazuar në standartet dhe praktikat e Këshillit të Evropës. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim të ngushtë dhe në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Gjithashtu, ky projekt do të përfshijë një grup më të gjërë partnerësh kombëtar dhe grupe interesi, institute të kërkimit dhe politikave arsimore, shkollat e përzgjedhura pilot, komunitetet lokale, media dhe OJF, institucione trajnuese dhe organizata rinore.

Projekti bashkë financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës si një pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë (Instrumenti Horizontal), i Bashkimit Evropian – Këshillit të Evropës, si dhe zbatohet nga Departamenti i Edukimit i Këshillit të Evropës në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës në Tiranë.

Instrumenti Horizontal ofron asistencë teknike dhe ekspertizë në fushat e sigurimit të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, promovimit të lirisë së shprehjes e informacionit si dhe promovimit të anti-diskriminimit dhe mbrojtjes të të drejtave të grupeve vulnerabël, me qëllim të asistojë autoritetet në zbatimin e rekomandimeve kyçe të institucioneve përkatëse të Këshillit të Evropës, sipas prioriteteve të vëna në kuadër të negociatave të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kohëzgjatja e këtij projekti është 32 muaj dhe pritet të përfundojë me datë 31 Janar 2019, me një buxhet total prej 600,000 Euro.

 

Rezultatet e pritura të projektit

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të gjejë mjetet efektive për të luftuar bullizmin dhe ekstremizmin në sistemin arsimor në Shqipëri, në përputhje me standartet e Këshillit të Evropës. Objektivi i parë specifik është mbështetja e institucioneve përkatëse për të krijuar një ambjent të sigurtë studimi nëpërmjet luftës kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor. Ky objektiv specifik do të përmbushet përmes arritjes të rezultateve të mëposhtme:

  • Shkollat pilot kanë zhvilluar dhe kanë filluar të aplikojnë mekanizma për të parandaluar bullizmin dhe për t’ju përgjigjur sfidës ideologjike të ekstremizmit.
  • Nxënësit përjetojnë nga një mjedis mësimor i sigurt dhe mbështetës.
  • Vlerat morale të gjithpërfshirjes dhe respektit mësohen si pjesë e kulturës të shkollës.

Objektivi i dytë specifik është përmirësimi i aftësive edukative të profesionistëve duke rritur njohuritë dhe kompetencat se si të parandalojnë dhe si të merren me rastet e bullizmit dhe ekstremizmit. Ky objektiv specifik do të përmbushet përmes arritjes të rezultateve të mëposhtme:

  • Njohuritë mbi bullizmin përmirësohen përmes hartimit të materialeve për shkollat në përputhje me të dhënat e dala nga studime dhe përvojat më të mira.
  • Kapaciteti i mësuesve dhe menaxhimit të shkollave për t’u marrë me çështje kontraverse, bullizmi dhe ekstremizmi, rritet përmes krijimit të një pakete materialesh burimore.
  • Profesionistët e edukimit janë të vetëdijshëm për çështjen si rezultat i organizimit të seancave trajnuese, tryezave të rrumbullakëta, workshope, konferenca, aktivitete të rritjes së ndërgjegjësimit dhe një vizitë studimore për shkëmbim përvojash.

Objektivi i tretë specifik është rritja e ndërgjegjësimit mbi çfarë është bullizmi, si ndikon tek fëmijët, cilat janë pasojat e tij dhe si të parandalohet. Ky objektiv specifik do të përmbushet përmes arritjes të rezultateve të mëposhtme:

  • Rritje e ndërgjegjësimit dhe njohuri shtesë në shkollë, komunitet dhe nivel qendror mbi pasojat e bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor.

 

Kjo faqe interneti është prodhuar duke përdorur fonde të një projekti të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura këtu në asnjë rast nuk mund të konsiderohen si pasqyrim i opinionit zyrtar të Bashkimit Evropian.