Back Forcimi i reagimit rajonal ndaj krimit mjedisor, korrupsionit dhe pastrimit të parave në Ballkanin Perëndimor

Forcimi i reagimit rajonal ndaj krimit mjedisor, korrupsionit dhe pastrimit të parave në Ballkanin Perëndimor

Krimi mjedisor paraqet një kërcënim në rritje për burimet natyrore, qeverisjen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Këto krime shpesh lulëzojnë me korrupsionin, duke gjeneruar fitime të paligjshme që pastrohen përmes skemave ndërkufitare ose rrjeteve të profesionistëve. Për të diskutuar një qasje të koordinuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve mjedisore, u zhvillua në Strasburg një diskutim i hapur mbi identifikimin e sektorëve vulnerabël, kryerjen e vlerësimeve efektive të rrezikut dhe ngritjen e partneriteteve me shoqërinë civile dhe sektorin privat. Të gjitha këto janë thelbësore si për parandalimin e krimeve të tilla, ashtu edhe për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor ekzistues.

Më shumë se 45 profesionistë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, përfshirë agjencitë e zbatimit, prokurorë, doganierë dhe zyrtarë kufitarë, autoritete anti-korrupsion dhe mjedisore, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, morën pjesë në seminarin dy-ditor në Strasburg gjatë datave 23–24 shtator, ku u trajtuan lidhjet ndërmjet krimit mjedisor, korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gjatë aktivitetit u paraqitën gjetjet kryesore nga një studim rajonal mbi rreziqet e korrupsionit dhe pastrimit të parave të lidhura me krimin mjedisor si dhe u eksploruan mënyrat se si këto rreziqe mund të përfshihen në vlerësimet kombëtare ose sektoriale të rrezikut. Forcimi i hetimeve financiare, përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe angazhimi i një game më të gjerë aktorësh në luftën kundër flukseve financiare të paligjshme të lidhura me krimin mjedisor, ishin disa nga rekomandimet kryesore që u theksuan gjatë diskutimeve.

Ekspertë nga Këshilli i Evropës, prokurorë nga Italia, Kroacia dhe Rumania, si dhe njësi të mbrojtjes së mjedisit dhe zbatimit nga Franca (CESAN) dhe Spanja (SEPRONA), ndanë praktikat më të mira për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave. Përfaqësues të EUROPOL-it u ndalën tek iniciativat e fundit, përfshirë krijimin e grupeve të reja të posaçme për krimin mjedisor, si dhe studime specifike që ilustrojnë cenueshmërinë e sektorit ndaj pastrimit të parave.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të forcuar përgjigjet ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave, të lidhura me krimin mjedisor në Ballkanin Perëndimor. Në vijim, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, do të mbështesë përfituesit në zhvillimin e udhëzuesve praktikë për parandalimin dhe luftën ndaj pastrimit të parave, e lidhur me krimin mjedisor.

Ky aktivitet u organizua nga Projekti kundër Krimit Ekonomik në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”. Ky projekt mbështet aktorët publikë në rajon, në përmirësimin e politikave dhe reagimeve operacionale kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira evropiane.

 

Strasburg, Francë 23-24 shtator 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

Cili është qëllimi?

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri (AEC-AL) synon të kontribuojë në forcimin e luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, duke synuar të rrisë besimin në sundimin e ligjit dhe demokracinë në Shqipëri. Më konkretisht, Veprimi kundër Krimit Ekonomik do të mbështesë autoritetet në zbatimin efektiv të rekomandimeve kyçe dhe më të fundit të organeve monitoruese të Këshillit të Evropës, siç është Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit (MONEYVAL) dhe Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO), si dhe do kontribuojë në proceset reformuese në vend.

Kush përfiton nga projekti?

Projekti do të bashkëpunojë ngushtë me përfitues të ndryshëm dhe homologë në organet qeverisëse në të gjitha nivelet, agjensitë e specializuara dhe organet mbikëqyrëse duke përfshirë:

  • Parlamentin e Shqipërisë
  • Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Brendshme; Ministrinë e Financave; Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Kryeministrinë
  • Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (HIDAACI)
  • Shërbimet gjyqësore dhe të prokurorisë
  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
  • Drejtorinë e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave
  • Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare
  • Bankën e Shqipërisë
  • Qytetarët shqiptarë, organizatat e shoqërisë civile si dhe sektori privat

Si do të funksionojë projekti?

Asistenca e ofruar përmes Projektit do të jepet nëpërmjet ndërhyrjeve këshilluese dhe forcimit të kapaciteteve, të përshtatura për nevojat specifike të përfituesve si dhe duke u bazuar në rezultatet e arritura në zbatimin e Fazës I të Instrumentit Horizontal (2016-2019). Më konkretisht, Projekti do të përqëndrohet në mbështetjen e autoriteteve në disa drejtime, duke përfshirë:

  • forcimin e legjislacionit dhe kuadrit legjislativ;
  • ndërtimin e kapaciteteve institucionale;
  • rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
  • Çfarë presim të arrijmë?
  • Projekti pritet të arrijë rezultate kyçe në mbështetjen e autoriteteve në disa drejtime, duke përfshirë:
  • Përmirësimin e legjislacionit dhe kuadrit institucional për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
  • Forcimin e praktikave te rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve;
  • Krijimin e mekanizmave efektivë për të parandaluar dhe frenuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit;
  • Nxitjen e bashkëpunimit dhe koordinimit ndër-institucional në luftën kundër krimit ekonomik.

Sa do te kushtojë?

  • Buxheti i përgjithshëm i Projektit është 800.000 EUR;
  • Buxheti i alokuar për programin e Instrumentit Horizontal arrin në 41 Million EUR (85% financuar nga Bashkimi Evropian dhe 15% financuar nga Këshilli i Evropës).

Si mund të marrim më shumë informacion?

 

 

Kjo faqe interneti është prodhuar duke përdorur fonde të një projekti të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës. Pikëpamjet e shprehura këtu në asnjë rast nuk mund të konsiderohen si pasqyrim i opinionit zyrtar të Bashkimit Evropian.

 

kontakt

Divizioni për Krimin Ekonomik

Evgeni Evgeniev
Menaxher Programi
+33388412511
email
Joana Kashi
Koordinatore Projekti
+33388413655
email

Zyra në Tiranë

Ersida Sefa
Oficere e Lartë Projekti
+35544540219
email