Krimi mjedisor paraqet një kërcënim në rritje për burimet natyrore, qeverisjen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Këto krime shpesh lulëzojnë me korrupsionin, duke gjeneruar fitime të paligjshme që pastrohen përmes skemave ndërkufitare ose rrjeteve të profesionistëve. Për të diskutuar një qasje të koordinuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve mjedisore, u zhvillua në Strasburg një diskutim i hapur mbi identifikimin e sektorëve vulnerabël, kryerjen e vlerësimeve efektive të rrezikut dhe ngritjen e partneriteteve me shoqërinë civile dhe sektorin privat. Të gjitha këto janë thelbësore si për parandalimin e krimeve të tilla, ashtu edhe për zbatimin efektiv të kuadrit ligjor ekzistues.
Më shumë se 45 profesionistë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, përfshirë agjencitë e zbatimit, prokurorë, doganierë dhe zyrtarë kufitarë, autoritete anti-korrupsion dhe mjedisore, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, morën pjesë në seminarin dy-ditor në Strasburg gjatë datave 23–24 shtator, ku u trajtuan lidhjet ndërmjet krimit mjedisor, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Gjatë aktivitetit u paraqitën gjetjet kryesore nga një studim rajonal mbi rreziqet e korrupsionit dhe pastrimit të parave të lidhura me krimin mjedisor si dhe u eksploruan mënyrat se si këto rreziqe mund të përfshihen në vlerësimet kombëtare ose sektoriale të rrezikut. Forcimi i hetimeve financiare, përmirësimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe angazhimi i një game më të gjerë aktorësh në luftën kundër flukseve financiare të paligjshme të lidhura me krimin mjedisor, ishin disa nga rekomandimet kryesore që u theksuan gjatë diskutimeve.
Ekspertë nga Këshilli i Evropës, prokurorë nga Italia, Kroacia dhe Rumania, si dhe njësi të mbrojtjes së mjedisit dhe zbatimit nga Franca (CESAN) dhe Spanja (SEPRONA), ndanë praktikat më të mira për hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave. Përfaqësues të EUROPOL-it u ndalën tek iniciativat e fundit, përfshirë krijimin e grupeve të reja të posaçme për krimin mjedisor, si dhe studime specifike që ilustrojnë cenueshmërinë e sektorit ndaj pastrimit të parave.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Këshillit të Evropës për të forcuar përgjigjet ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave, të lidhura me krimin mjedisor në Ballkanin Perëndimor. Në vijim, projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, do të mbështesë përfituesit në zhvillimin e udhëzuesve praktikë për parandalimin dhe luftën ndaj pastrimit të parave, e lidhur me krimin mjedisor.
Ky aktivitet u organizua nga Projekti kundër Krimit Ekonomik në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”. Ky projekt mbështet aktorët publikë në rajon, në përmirësimin e politikave dhe reagimeve operacionale kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, në përputhje me standardet dhe praktikat e mira evropiane.




