Back Mbështetja e aktorëve lokalë në rritjen e arsimimit dhe mundësive të punësimit për të dënuarit në Shqipëri

Mbështetja e aktorëve lokalë në rritjen e arsimimit dhe mundësive të punësimit për të dënuarit në Shqipëri

Një sondazh i fundit i kryer me të dënuarit në Shqipëri, në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimi Evropian dhe Këshillit të Evropës “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të dënuarve në Shqipëri” nxjerr në pah se punësimi dhe arsimimi perceptohen nga të dënuarit si mjeti kryesor që mund të lehtësojë ri-integrimin e tyre në komunitet.

Në këtë kontekst, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, përmes programit të përbashkët Instrumenti Horizontal II, po mbështesin autoritetet shqiptare dhe aktorët kryesorë për të përmirësuar arsimin, aftësimin profesional dhe mundësitë e punësimit për të dënuarit në Shqipëri.

Si pjesë e këtyre përpjekjeve, u organizua online një grup pune një-ditor, në formatin e një forumi të hapur me aktorët përkatës në këtë fushë që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Financave, Agjencinë Kombëtare të Kualifikimit Profesional, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, Agjencinë Kombëtare për Shërbimet Sociale, Bashkinë e Tiranës, shoqërinë civile dhe përfaqësues të biznesit.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të diskutojnë momentet ku mund të kontribuojnë në rritjen e mundësive të arsimit dhe punësimit në IEVP-të në Shqipëri në të ardhmen. Gjetjet e dy studimeve të fundit "Një studim krahasues mbi punësimin dhe arsimimin në burgje" dhe "Një studim me të dënuarit në Shqipëri mbi mundësitë e punësimit dhe arsimimit " u ndanë me pjesëmarrësit, duke siguruar njohuri mbi praktikat më të mira evropiane, si dhe rezultatet e sondazhit me të dënuarit kryer në nëntë IEVP Shqiptare, duke përfshirë edhe disa rekomandime kryesore për të ndihmuar autoritetet në hartimin dhe përshtatjen e një modeli kombëtar që do të përmirësojë arsimimin dhe mundësitë e punësimit për të dënuarit në Shqipëri.

Gjetjet kryesore të seminarit u diskutuan dhe u vlerësuan në takimin vijues të Grupit të Punës të posaçëm, i cili do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Përmirësimin e Arsimit dhe Mundësive të Punësimit për të Dënuarit në Shqipëri, ky grup përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe ekspertët e Këshillit të Evropës.

Kryetarja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Znj. Jutta Gützkow drejtoi takimin duke u përqëndruar në rolin e rëndësishëm të shërbimit penitenciar në rritjen e motivimit të të dënuarve për të jetuar një jetë në zbatim të ligjit. "Për të mundësuar riintegrimin e suksesshëm të një të dënuari në shoqëri, i dënuari do të duhet të bëhet pjesë dhe të drejtojë procesin e tij/saj të ndryshimit - i ndihmuar nga personeli i IEVP", theksoi Gützkow.

Sigurimi i arsimimit dhe aftësive profesionale në burg do të ofrojë një mundësi për të dënuarit për të plotësuar aftësitë e tyre përkundrjet kërkesave të tregut të punës, duke përdorur kështu në mënyrë efektive kohën e dënimit. Studimet tregojnë se rritja e shanseve të punësimit për ish të dënuarit rrit ndjeshëm uljen e recidivizmit.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të Projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të dënuarve në Shqipëri”, zbatuar nën programin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019 – 2022”.

 

 

17 dhjetor 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page