Projekti Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri mbështet autoritet shqiptare në parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (ML/TF) përmes një qasjeje strategjike me bazë risku. Projekti ofron ekspertizë dhe forcim kapacitetesh për sektorët financiarë dhe jofinanciarë, dhe adreson risqet e reja të krimit financiar.
Si pjesë e kësaj iniciative, projekti ka rishikuar metodologjitë e mbikëqyrjes me bazë risku për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit të hartuara nga Ministria e Drejtësisë për aktivitetet noteriale dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, si dhe metodologjitë e përdorura nga Autoriteti për Mbikëqyrjen e Lojërave të Fatit në sektorin e lojërave të fatit. Projekti ka ofruar rekomandime për të garantuar përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me legjislacionin shqiptar në fushën e parandalimit të pastrimit të parave.
Për të mbështetur zbatimin praktik, u zhvilluan manuale mbikëqyrjeje dhe një seri instrumentesh në bashkëpunim me autoritetet. Këto dokumente ofrojnë modele dhe udhëzime për inspektimet, profilizimin e riskut, raportimin, planet e veprimit për zbutjen e riskut, dhe indikatorë dhe tipologji të riskut specifike për këtë sektor.
Më tej, projekti organizoi dy sesione trajnimi mbi mbikëqyrjen me bazë risku për përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Bazuar në manualet e reja të mbikëqyrjes, sesionet ofruan udhëzime praktike, adresuan ndryshimet e propozuara në metodologjitë e mbikëqyrjes ekzistuese, dhe njëkohësisht kishin për qëllim nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional. Pjesëmarrësit fituan përvojë në raste konkrete për identifikimin dhe menaxhimin e riskut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, në praktikat e mbikëqyrjes me bazë risku, në strategji për të përmirësuar identifikimin e aktiviteteve të dyshimta, si dhe në mekanizma për kryerjen e inspektimeve.
Kjo mbështetje ka forcuar kapacitetet e autoriteteve mbikëqyrëse shqiptare për të zbatuar qasje të qëndrueshme me bazë risku, ka përmirësuar aftësitë e tyre për të identifikuar dhe zbutur risqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Projekti ka promovuar krijimin e një kuadri mbikëqyrës më të unifikuar dhe proaktiv, duke forcuar integritetin e sektorëve jofinanciarë dhe duke zvogëluar dobësitë e tyre ndaj keqpërdorimit për qëllime të paligjshme.
Në vijim, projekti ka për synim ta zgjerojë mbështetjen e tij tek subjektet raportuese – si noterët, agjentët e pasurive të paluajtshme, dhe kazinotë – duke forcuar ndërgjegjësimin dhe njohuritë e tyre për risqet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Kjo mbështetje ofrohet në kuadër të projektit Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri, bashkëfinancim i Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshillit të Evropës, i cili zbatohet nga Këshilli i Evropës.


