Back Informacioni nga media është një e mirë publike! Pse ka rëndësi mbrojtja e atyre që e krijojnë atë

KOMUNIKIM PER MEDIAT:
Informacioni nga media është një e mirë publike! Pse ka rëndësi mbrojtja e atyre që e krijojnë atë

Numri në rritje i kërcënimeve dhe sulmeve offline dhe online ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias gjatë viteve të fundit dëshmon nevojën imediate për të garantuar një siguri dhe mbrojtje më të mirë të gazetarëve në përputhje me standardet evropiane. Kjo u theksua gjatë diskutimit publik me temë “Siguria dhe mbrojtja e gazetarëve: standardet dhe adresimi i sfidave të përbashkëta” të mbajtur sot në Tiranë.

Eventi mblodhi gazetarë të shquar, deputetë, përfaqësues të lartë të gjyqësorit, agjenci ligjzbatuese, organe të barazisë dhe shoqërisë civile për të diskutuar sfidat kryesore që lidhen me mbrojtjen e gazetarëve dhe masat mbrojtëse të rëndësishme për punën e gazetarit.

Në fjalën e tij të hapjes, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha: “Gazetarët duhet të ndihen të sigurt për të punuar. Pa lirinë e medias, nuk ka shoqëri të lira dhe demokratike. Liria e shprehjes dhe liria e medias janë standardet kryesore me të cilat BE-ja vlerëson përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE. Raporti Vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2021 ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në vend, duke përfshirë sulmet verbale, fushatat e shpifjeve dhe aktet e frikësimit/intimidimit kundër gazetarëve. Kjo duhet të ndryshojë. Duhet të ketë një politikë të tolerancës zero për intimidimin dhe sulmet ndaj gazetarëve. Dhe një bashkëpunim të fortë politik dhe efektiv ndërmjet institucioneve kompetente, si dhe mobilizimin e aktorëve mediatikë dhe të shoqërisë më të gjerë. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe median shqiptare në këtë proces.”

 

Nga ana e saj, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës, Jutta Gützkow, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet publike dhe rolin e tyre për të siguruar një mbrojtje më të mirë për gazetarët. “Shpresoj që diskutimi i sotëm të theksojë angazhimin e autoriteteve shqiptare për të përmirësuar masat mbrojtëse në mënyrë që aktorët e medias dhe gazetarët të punojnë në mjedise të sigurta.” tha Gützkow

Matthew Caruana Galizia, djali i gazetares malteze të vrarë, Daphne Caruana Galizia, theksoi se liria e medias varet nga një sistem demokratik i bazuar në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave, duke përfshirë të drejtën për kushte të drejta pune. Varfëria e kushteve të punës së gazetarëve në Shqipëri si dhe nënvlerësimi i punës së tyre po i shtyn ata të marrin në konsideratë masa ekstreme dhe të rrezikshme si një sistem licencimi i kontrolluar nga shteti për gazetarët. Qeveria e Shqipërisë duhet të trajtojë shkeljet e ligjeve të punës nga punëdhënësit dhe duhet të sigurojë që kushtet e punës për gazetarët të jenë në përputhje me normat ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare, duke përfshirë nenin 31 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së.

Diskutimi në këtë tryezë të rrumbullakët synonte përfshirjen e mëtejshme të autoriteteve shqiptare për të përmbushur standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe forcimin e masave mbrojtëse për sigurimin e një mjedisi të sigurt pune për gazetarët.

Përveç diskutimit të sigurisë së profesionistëve të medias dhe ofrimit për gazetarët udhëzime dhe resurse kryesore për të mbrojtur veten, Qendra “Res Publica”  ka përgatitur një broshurë e cila u ofron gazetarëve dhe aktorëve e medias këshilla se si të jenë proaktiv dhe të përdorin mekanizmat ekzistues, përfshirë ato ligjore, për të siguruar mbrojtje.

Hulumtimi tregon se shumë raste të intimidimit dhe ngacmimit nuk raportohen, pjesërisht për shkak se profesionistët e medias nuk kanë dijeni për ekzistencën e mekanizmave të tillë.

Diskutimi i tryezës së rrumbullakët paraqiti gjithashtu standardet dhe detyrimet pozitive për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që rrjedhin nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e shprehjes, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe instrumente si Platforma për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve. Një panel gazetarësh shqiptarë ndanë përvojat e tyre të kërcënimeve dhe intimidimeve. Një fokus i veçantë i’u kushtua asaj se si gazetaret femra janë veçanërisht objekt i kërcënimeve të tilla.

Ky aktivitet u organizua nga Qendra 'Res Publica' me mbështetjen e aksionit "Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias në Shqipëri" (JUFREX 2), pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës "Faciliteti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

 

 

Për informacion 

- Av. Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i Qendres ‘Res Publica’; email: [email protected] / mob:+ 355 (0) 699 40 88 75
- Besnik Baka, Oficer Komunikimi Instrumenti Horizontal II; email: [email protected] / mob. +355 (0) 692 17 84 30

 

 

 

Tiranë, Shqipëri 16 dhjetor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page