Back Në Ditën Ndërkombëtare Rome partnerët bëjnë thirrje për më shumë përfshirje sociale dhe ekonomike në Shqipëri

Në Ditën Ndërkombëtare Rome partnerët bëjnë thirrje për më shumë përfshirje sociale dhe ekonomike në Shqipëri

Në nderim të Ditës Ndërkombëtare Rome, tërhiqet vëmendja ndaj sfidave që prekin pakicën rome dhe bëhet thirrje që të drejtat e njeriut të respektohen dhe të vëzhgohen për të gjithë. Dita Ndërkombëtare Rome është gjithashtu një mundësi për të festuar kulturën rome dhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballen romët dhe për të promovuar diversitetin kulturor si vlerë evropiane në nivel vendor.

Në këtë kontekst, Bashkia e Fierit, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, Delegacioni i BE-së në Shqipëri, PNUD në Shqipëri dhe Instituti i Kulturës Rome,organizuan një takim të Grupit të Task Forcës Bashkiake dhe një aktivitet kulturor.

Në fokus të eventit të parë ishin zbatimi i Planit Vendor të Veprimit për Integrimin e Pakicave Rome dhe Egjiptiane 2019-2022 duke përfshirë përgjigjshmërinë dhe llogaridhënien e qeverisjes vendore ndaj pakicës rome.

Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow, theksoi rëndësinë e kontekstualizimit të këtyre aktiviteteve si pjesë e Javës Rome 2022 në Shqipëri, ku të gjithë partnerët kanë bashkuar përpjekjet nën sloganin “Historia dhe kultura në qendër të vëmendjes për një të tashme më të mirë”. “Kjo sjell në vëmendjen tonë dy mesazhe të rëndësishme: Trashëgimia historike dhe kulturore duhet të festohet, promovohet dhe ruhet dhe fuqizimi rom duhet të vazhdojë për të siguruar një zë të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen vendore”-shtoi ajo.

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Monica Merino, theksoi se “Dita Ndërkombëtare Rome përcjell një mesazh të fuqishëm: bëhet thirrje për përfshirje sociale të romëve, antidiskriminim dhe mbi të gjitha për pranim. Vetëm duke punuar së bashku dhe me një angazhim të fortë, ne garantojmë që romët të fuqizohen në të gjitha aspektet dhe të jenë pjesë e një shoqërie gjithëpërfshirëse shqiptare”.

Menaxherja e Programit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Valerie Covic, nënvizoi se “Duhen realisht përpjekje dhe burime shtesë për të përshpejtuar integrimin rom dhe për të reduktuar hendekun me pjesën tjetër të popullsisë në nivel vendor. Kjo është arsyeja pse mbështetja e BE-së për integrimin rom në nivel vendor është pjesë e mbështetjes strategjike të BE-së për Shqipërinë. Përfshirja rome është një prioritet kyç i BE-së në kontekstin e para-anëtarësimit”.

Ky takim u pasua nga drama tematike e vënë në skenë në Teatrin Bylis me titull “Një fillim pa fund”, duke vënë theksin në përfshirjen sociale të pakicës rome dhe nevojën për riintegrimin e të rikthyerve romë. Drama, me skenar dhe regji të aktivistit të ri rom Marjus Veizi, u vu në skenë nga një kastë aktorësh të përbërë nga të rinj romë dhe jo romë të mbështetur nga Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri.

Kjo dramë hedh dritë mbi shkaqet kryesore të emigrimit dhe azilkërkimit të pakicës rome, duke bërë thirrje për përfshirje efektive të autoriteteve të duhura qendrore dhe vendore mbi politikat e riintegrimit social.

Këto aktivitete u organizuan në kuadrin e dy projekteve të financuara nga BE: Programi ROMACTED II i zbatuar nga Këshilli i Evropës “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivel vendor” dhe projekti rajonal i PNUD-it “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe vendore për të mbështetur integrimin socio-ekonomik efektiv të të rikthyerve në Ballkanin Perëndimor”.

 

 

 

Fier, Shqipëri 8 prill 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page