Nisma Mësojmë nga e Kalura po edukon brezin e ri rreth të kaluarës historike të vendit, duke nxitur njëkohësisht reflektimin mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Kjo nismë është pjesë e projektit të Këshillit të Europës Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
150 nxënës dhe 17 mësues nga shkollat e mesme Eqrem Çabej dhe Sami Frashëri në Tiranë, shkollat Hamza Muça dhe Naim Frashëri në Durrës, si dhe shkolla Aleksandër Moisiu në Kavajë, morën pjesë në këtë nismë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Kjo nismë synon të kultivojë një kuptim kritik mbi historinë e Shqipërisë që do të shërbejë si bazë për promovimin e parimeve demokratike dhe tolerancës.
Nxënësit morën pjesë në aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, duke përfshirë takime me ekspertë, shfaqje dokumentarësh mbi aspekte kyç të së kaluarës së vendit, diskutime me nxënës, mësues dhe anëtarë të komunitetit, si dhe dëshmi. Gjithashtu, ata eksploruan materiale të përgatitura nga AIDSSH në seanca leximi, duke lidhur në mënyrë efektive mësimet historike me vlerat e demokracisë.
Kjo nismë forcon njohuritë mbi historinë e Shqipërisë dhe nxit mendimin kritik, duke fuqizuar brezat e rinj që të përdorin këto njohuri për të kontribuar në një të ardhme demokratike. Vitin e ardhshëm, aktivitetet do të vijojnë me një konkurs kombëtar duke inkurajuar të rinjtë të paraqesin punime krijuese si vizatime, ese, apo video që reflektojnë mësimet dhe perspektivat e tyre.
Projekti i Këshillit të Evropës Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar.


