Back Balancimi i të drejtave të njeriut dhe interesit publik në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri

Balancimi i të drejtave të njeriut dhe interesit publik në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri

Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë kanë përmirësuar aftësitë e tyre për hetimin e veprave penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, duke siguruar respektimin e të drejtave të njeriut. Si rezultat i dy trajnimeve të njëpasnjëshme, ata u aftësuan më tej mbi zbatimin e standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykata) në praktikën e tyre, duke siguruar hetime efektive dhe të drejta.

Trajnimet e organizuara nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, në kuadër të Veprimit kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës, u ndoqën nga 60 prokurorë dhe gjyqtarë të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Këto trajnime thelluan njohuritë e pjesëmarrësve mbi zbatimin praktik të jurisprudencës së Gjykatës së Strazburgut në sistemin e drejtësisë shqiptare, veçanërisht në lidhje me Nenin 5 mbi të drejtën për liri dhe siguri; Nenin 8 mbi të drejtën për jetën private dhe familjare; dhe Nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi të drejtën e pronës. Diskutimet përfshinë tema të rëndësishme si sfidat e balancimit të respektimit të të drejtave të njeriut dhe interesit publik me nevojën për hetime efektive. Po ashtu, diskutimet u përqendruan në hetimin e pasurisë, masat e sigurisë, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve, si dhe pranueshmërinë dhe përdorimin e provave të përfituara nga masa të posaçme hetimore.

Gjatë trajnimeve, gjyqtarët dhe prokurorët shkëmbyen njohuri me Gjyqtarin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut - Z. Darian Pavli, i zgjedhur për Shqipërinë, së bashku me përfaqësues të tjerë të Regjistrit të Gjykatës. Ata trajtuan funksionimin e Gjykatës, proceset e marrjes së vendimeve, llojet e vendimeve dhe platformat e ndryshme të shkëmbimit të njohurive. Këto trajnime i ofruan gjyqtarëve dhe prokurorëve njohuri të vlefshme mbi arsyetimin e vendimeve të Gjykatës, duke siguruar një zbatim më efektiv të standardeve të saj në trajtimin e rasteve të ndërlikuara të hetimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky aktivitet u organizua nga Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, si pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Tiranë, Shqipëri 3 mars 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail