Back

Aleanca për Media Etike në Shqipëri diskuton rezultatet kryesore dhe një qasje të re për trajtimin e çështjeve mbi të drejtën e autorit në vend

Tiranë, Shqipëri 3 nëntor 2021
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page
  • Imprimer en PDF
Aleanca për Media Etike në Shqipëri diskuton rezultatet kryesore dhe një qasje të re për trajtimin e çështjeve mbi të drejtën e autorit në vend

Aleanca për Media Etike, një grup vullnetar i mediave shqiptare të përkushtuar ndaj zbatimit rigoroz të Kodit të Etikës për Gazetarët, mbajti takimin e saj vjetor më 3 nëntor 2021. E themeluar nën sekretariatin e Këshillit Shqiptar të Medias dhe e mbështetur nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Medias (JUFREX 2), 12 anëtarë të Aleancës për Media Etike u takuan për të shqyrtuar punën e tyre për vitin e parë dhe për të planifikuar nismat për të ardhmen.

Gjatë vitit të kaluar, bordi i Aleancës ka marrë/pranuar 48 ankesa nga publiku dhe organizata dhe ka nxjerrë 44 vendime.

Gjatë takimit, anëtarët diskutuan mbi arritjet kryesore të deritanishme dhe bazuar në mësimet e nxjerra ranë dakord për planet dhe prioritetet e ardhshme. Anëtarët e Aleancës theksuan nevojën për të pasur një Kryetar që t’i përfaqësojë ata në tërësi, duke zgjedhur Emirjon Senja, gazetar pranë ABCNews.al, si Kryetar të Aleancës me mandat njëvjeçar.

Duke qenë se e drejta e autorit mbetet një çështje shqetësuese në Shqipëri, veçanërisht në median online, anëtarët e Aleancës diskutuan për qasje të rëndësishme për të ndikuar në përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues për të drejtën e autorit duke përfshirë platforma të reja mediatike, si ato që operojnë në internet ku vërehet që shkeljet e Pronësisë Intelektuale janë më të shfrenuara. Për të diskutuar zgjidhjet dhe qasjet e mëtejshme në këtë fushë, ishte planifikuar një takim me Komisionin Parlamentar për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Aleanca për Media Etike në Shqipëri është një nismë e mbështetur nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Liria e Shprehjes dhe e Medias në Shqipëri (JUFREX)”, pjesë e nismës më të madhe të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës të quajtur Instrumenti Horizontal II.

 

 

 


Kontakte Kontakte

 +355 4 45 40 201

E-mail