Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën e Trajnimit për stafin penitenciar vazhdojnë të rrisin kapacitetet për menaxhimin e institucioneve penitenciare në Shqipëri, nëpërmjet trajnimeve të përshtatura posacërisht me nevojat e tyre.
Në këtë kuadër, më 18 dhe 19 mars 2025, në Tiranë u organizuan dy seanca një-ditore për rritjen e kapaciteteve. Gjatë ditës së parë, 21 drejtorë burgjesh dhe 4 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u fokusuan në identifikimin e sfidave aktuale në në institucione penitenciare, lidershipin dhe komunikimin efektiv, sigurinë, disiplinën dhe rendin.
Në ditën e dytë, 21 drejtorë të policisë së burgjeve u angazhuan në mënyrë aktive në diskutime mbi rolin e sigurisë në raport me rehabilitimin, duke i dhënë një vëmendje të shtuar qasjeve të integruara të sigurisë, teknikave të qetësimit të situatave të tensionuara dhe sigurisë dinamike.
Të dyja seancat e rritjes së kapaciteteve siguruan një balancë mes standardeve të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe njohurive praktike të përcjella përmes simulimeve dhe skenarëve praktikë. Seancat u zhvilluan në formën e trajnimeve, duke nxitur shkëmbimin mes pjesëmarrësve dhe trajnerëve ndërkombëtarë.
Ky trajnim u realizua në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – faza III, dhe në veçanti, në kuadër të Projektit Forcimi i i mbrojtjes së të drejtave të njeriut për personat e dënuar në Shqipëri.


