Aktorë vendas dhe ndërkombëtarë u mblodhën në një tryezë të rrumbullakët të nivelit të lartë në Tiranë për të diskutuar një qasje të përbashkët për të avancuar sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri. Aktiviteti, i mbajtur në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Mbrojtja e Lirisë së Shprehjes dhe Lirisë së Medias në Shqipëri (PRO-FREX), u përqendrua në progresin e arritur, praktikat më të mira të identifikuara dhe sfidat në vazhdim.
"Kjo tryezë e rrumbullakët përforcon angazhimin tonë të përbashkët për lirinë e shtypit dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së", tha Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve do të thotë mbrojtje e demokracisë.
Gjatë takimit, përfaqësues nga institucionet qeveritare, gjyqësori, organet ligjzbatuese, organizatat e medias dhe shoqëria civile ndanë hapa konkretë të ndërmarrë për të përmirësuar mbrojtjet për gazetarët. Këto përfshijnë ndërhyrje në përputhje me udhërrëfyesin e integrimit të Shqipërisë në BE në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias, dhe pasqyrojnë instrumentet e fundit evropiane që adresojnë SLAPP-et (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike).
Në këtë kontekst, Tedi Dobi, Zëvendësministër i Drejtësisë, përshkroi përpjekjet e vazhdueshme të ministrisë për të luftuar përdorimin e SLAPP-eve, duke përfshirë transpozimin e Direktivës përkatëse të BE-së dhe reflektimin e Rekomandimit përkatës të Këshillit të Evropës.
Diskutimet u mbështetën në gjetjet nga Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve Shqipëri 2024 dhe puna e PROFREX dhe Platformës së Dialogut për Median, duke theksuar nevojën për një koordinim më të fortë ndërinstitucional, reformë ligjore dhe mekanizma më efektivë zbatimi.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me SCiDEV dhe ResPublica, si pjesë e përpjekjeve më të gjera nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, përmes projektit PROFREX-A dhe Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.


