Back 70 vjetori i Këshillit të Evropës festohet në Fakultetin Juridik të Tiranës

Nils Muižnieks

Nils Muižnieks

Një sesion i hapur, me rastin e 70 vjetorit të Këshillit të Evropës, u mbajt më 17 maj me pjesëmarrjen e më shumë se 100 studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës. I ftuar nderi i këtij aktiviteti ishte z. Nils Muižnieks, Kryetar i Shoqatës së Shkollave të Studimeve Politike të Këshillit të Evropës, i cili prezantoi pjesëmarrësit me punën e organizatës për të siguruar dhe përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut bazuar në përvojën e tij si ish-Komisioner i të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Evropës.

Dekani i Fakultetit Juridik, z. Artan Hoxha, dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow, mbajtën fjalët e tyre të hapjes duke u përqëndruar në rëndësinë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartës Sociale Evropiane për arritjen e standardeve të përbashkëta për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit për qytetarët shqiptarë. Ky ishte i pari i disa aktiviteteve të planifikuara që do të mbahen gjatë këtij viti për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm të organizatës kryesore të të drejtave të njeriut në kontinent.

Prezantimi i z. Muižnieks u përqendrua në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kartën Sociale Evropiane, të cilat janë rrënjët e gjalla nga të cilat rritet Këshilli i Evropës. Gjatë viteve organizata është mbështetur mbi këto të drejta duke i zbatuar ato për çështje specifike dhe duke siguruar mbrojtje shtesë për individët. Në këtë mënyrë, Këshilli i Evropës veproi për të mbrojtur pakicat kombëtare dhe gjuhët rajonale dhe të pakicave dhe për të luftuar shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve dhe dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje. Janë ndërmarrë masa për të parandaluar torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin ç'njerëzor ose degradues, për të luftuar trafikimin e qenieve dhe të organeve njerëzore dhe për të ndaluar abuzimin me të dhënat personale dhe veprimet e krimit kibernetik.

Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësi të bënin pyetje në lidhje me veprimtarinë e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut për përmirësimin e standardeve të minoriteteve, të drejtën e protestës demokratike, dhunës në familje dhe zbatimin nga Shqipëria të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Z. Muižnieks vizitoi Shqipërinë me ftesë të Akademisë së Studimeve Politike, i cili është organi përgjegjës për zbatimin e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike.

 

 

 

Tiranë 20 Maj 2019
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page