“Projekti kundër krimit ekonomik në Shqipëri” (AEC-AL) zbatohet brenda programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” që do të zbatohet nga janari 2023 deri në dhjetor 2026. Fushat prioritare të projektit janë:  

  • harmonizimi i kuadrit ligjor dhe institucional në luftën kundër korrupsionit, në përputhje me rekomandimet e GRECO-s,
  • përmirësimi i efektivitetit të agjencive ligjzbatuese dhe sektorit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit ekonomik,
  • forcimi i efektivitetit të mbikëqyrjes financiare të partive politike, përmirësimi i kapaciteteve legjislative dhe institucionale të autoriteteve përgjegjëse për gjurmimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale,
  • përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe njerëzore për pajtueshmërinë dhe mbikëqyrjen e bazuar në rrezikun kundër pastrimit të parave, veçanërisht në lidhje me sektorin jofinanciar, sipas rekomandimeve të MONEYVAL-it.

Cili është qëllimi dhe objektivat e projektit?

Projekti synon të asistojë institucionet publike në parandalimin dhe luftën kundër krimit ekonomik, duke përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar. Projekti do të vazhdojë të mbështesë autoritetet në zbatimin efektiv të rekomandimeve të organeve monitoruese të Këshillit të Evropës, siç është Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit (MONEYVAL) dhe Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO).

Kush përfiton nga projekti?

Projekti do të bashkëpunojë ngushtë me përfitues të ndryshëm dhe homologë në organet qeverisëse në të gjitha nivelet, agjencitë e specializuara dhe organet mbikëqyrëse, duke përfshirë:

  • Ministrinë e Drejtësisë në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave,
  • Drejtorinë e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave,
  • Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave,
  • Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,
  • Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,
  • Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,
  • Shkollën e Magjistraturës, Akademinë e Sigurisë, Shkollën Shqiptare të Administratës Publike.

Projekti do të angazhojë organizata të shoqërisë civile të fushës, si dhe do të asistojë sektorin privat në përpjekjet në luftën kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave, çka do të ndikojë pozitivisht në rritjen e besimin të publikut dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve shqiptarë.

Si do të funksionojë projekti?

Asistenca e ofruar përmes Projektit do të jepet nëpërmjet ndërhyrjeve këshilluese dhe forcimit të kapaciteteve, të përshtatura për nevojat specifike të përfituesve dhe duke u bazuar në rezultatet e arritura në zbatimin e Fazës I (2016-2019) dhe II (2019-2022) të Instrumentit Horizontal. Më konkretisht, projekti do të mbështesë autoritetet në disa drejtime, duke përfshirë:

  • forcimin e legjislacionit dhe kuadrit legjislativ;
  • ndërtimin e kapaciteteve institucionale;
  • rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.

Çfarë presim të arrijmë?

Projekti pritet të arrijë këto rezultate:

  • Përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e korrupsionit,
  • Përmirësimin e kapaciteteve njerëzore për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit si dhe rritjen e efektivitet të agjencive ligjzbatuese dhe sektorit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit ekonomik.

Sa do të kushtojë?

Buxheti total i projektit është 895,000 EUR. Buxheti i alokuar për programin e Instrumentit Horizontal arrin në 41 million EUR (85% financuar nga Bashkimi Evropian, 15% nga Këshilli i Evropës).

Si të marrësh më shumë informacion?

Rreth Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës që u mundëson përfituesve nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia të përmbushin axhendat e tyre në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në përputhje me standardet evropiane, si prioritet i procesit të zgjerimit të BE-së.


 


 

fushatë


 

KONTAKT

Ersida Sefa
Oficere e Lartë Projekti

 +355 44 540 219
 E-mail


Sindi Lica
Asistente Projekti

  00355 4 45 40 218
  E-mail