Projekti “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri” është hartuar për të mbështetur përpjekjet kombëtare për të përparuar në mbrojtjen e së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri.
Cilat janë objektivat e projektit?
Objektivi kryesor i projektit është forcimi i mbrojtjes së të drejtës për liri dhe siguri, përmes promovimit të masave alternative ndaj arrestit dhe uljes së përdorimit të paraburgimit, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Objektivat specifike:
- Mbështetja e autoriteteve dhe gjyqësorit në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe praktikës gjyqësore përmes, ndër të tjera, analizave dhe rekomandimeve specifike.
- Rritja e njohurive dhe kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë ligjorë në zbatimin e drejtë të standardeve dhe arsyetimit ligjor në lidhje me zbatimin e paraburgimit.
- Promovimi i alternativave të paraburgimit për të reduktuar mbipopullimin në burgje.
- Ndërgjegjësimi i studentëve të drejtësisë dhe profesionistëve të ardhshëm ligjorë mbi standardet ndërkombëtare dhe evropiane lidhur me të drejtën për liri dhe siguri.
Si funksionon projekti?
Projekti do të vlerësojë legjislacionin ekzistues dhe praktikat gjyqësore për të identifikuar boshllëqe dhe për të propozuar rekomandime për përmirësim. Forumet e diskutimit me gjyqtarë, prokurorë dhe palë të tjera të interesuara do të nxisin dialogun dhe do të mbështesin reformat ligjore në proçes.
Do të zhvillohen dhe përkthehen materiale trajnuese mbi të drejtën për liri, siguri dhe arsyetimin ligjor. Metoda “trajnimi i trajnerëve” do të përgatisë gjyqtarët dhe prokurorët për të zbatuar më mirë jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Gjykata e Strazburgut) dhe marrjen në konsideratë të alternativave të paraburgimit.
Studentët e drejtësisë dhe profesionistët e ardhshëm ligjorë do të përfitojnë nga aktivitete ndërgjegjësuese të fokusuara në standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Vizitat studimore, shkollat verore dhe shkëmbimet mes tyre do të nxisin dialogun dhe ndarjen e praktikave të mira.
Cilët janë aktorët e përfshirë në projekt?
Projekti përfshin një gamë të gjerë aktorësh të drejtësisë shqiptare për të siguruar një qasje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse.


Çfarë synojmë të arrijmë?
- Përafrim të mëtejshëm të legjislacionit dhe praktikës gjyqësore me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
- Instrumente dhe metodologji të përparuar trajnuese mbi zbatimin e paraburgimit.
- Rritje te kapaciteve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë ligjorë për të zbatuar jurisprudencën e Gjykatës së Strazburgut në vendimet e tyre.
- Rritje të ndërgjegjësimit të profesionistëve të ardhshëm ligjorë dhe studentëve të drejtësisë mbi standardet e të drejtave të njeriut dhe rëndësinë e zbatimit të alternativave të arrestit.
- Mbështetje për zbatimin e vendimeve kyçe të Gjykatës së Strazburgut lidhur me të drejtën për liri dhe siguri, me fokus paraburgimin.
Cili është buxheti i projektit?
Projekti financohet nga Human Rights Trust Fund (HRTF)1, me një buxhet total prej 600,000 €, dhe zbatohet nga Këshilli i Evropës gjatë një periudhe 24-mujore (nga 1 qershor 2025 deri më 31 maj 2027).