Forcimi i Drejtësisë Kushtetuese dhe të Drejtave të Njeriut në Shqipëri
Projekti "Forcimi i Drejtësisë Kushtetuese dhe të Drejtave të Njeriut në Shqipëri" synon të forcojë efikasitetin, transparencën dhe aksesueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, duke siguruar njëkohësisht përafrimin e jurisprudencës së saj me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
Cilat janë qëllimet dhe objektivat e projektit?
Objektivi kryesor i projektit është të mbështesë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë në përmirësimin e funksionimit institucional, cilësisë së vendimmarrjes dhe aksesit të qytetarëve në drejtësinë kushtetuese.
Projekti do të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të çështjeve përmes digjitalizimit, forcimin e kapaciteteve kërkimore dhe metodologjike, si dhe përmirësimin e komunikimit të Gjykatës me publikun.
Kush përfiton nga projekti?
Përfituesi i drejtpërdrejtë është Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, përfshirë gjyqtarët, këshilltarët ligjorë, specialistët e teknologjisë së informacionit dhe stafi administrativ.
Qytetarët shqiptarë janë përfituesit përfundimtarë të projektit, përmes një sistemi më efikas, transparent dhe të aksesueshëm të drejtësisë kushtetuese.
Si funksionon projekti?
Projekti do të mbështesë zhvillimin dhe zbatimin e një sistemi modern të menaxhimit të çështjeve dhe arkivës digjitale, me qëllim përmirësimin e efikasitetit dhe shpejtësisë në trajtimin e ankesave kushtetuese. Ai do të ofrojë aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve, këshilltarëve ligjorë dhe stafit të Gjykatës, si dhe mbështetje për forcimin e Departamentit të Kërkimit, përdorimin e jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe aksesin në bazën e të dhënave HUDOC.
Projekti do të mbështesë gjithashtu përmirësimin e funksionaliteteve të faqes së internetit të Gjykatës, komunikimin me publikun dhe masat që rrisin transparencën, besimin e publikut dhe aksesueshmërinë.
Çfarë pritet të arrihet?
- Digjiitalizim dhe automatizim më i avancuar i sistemeve të menaxhimit të çështjeve;
- Efikasitet dhe shpejtësi më e madhe në trajtimin e ankesave kushtetuese;
- Kapacitete më të forta kërkimore dhe përdorim më i mirë i jurisprudencës së GJEDNJ-së;
- Konsistencë dhe cilësi më e lartë e arsyetimit gjyqësor;
- Akses më i mirë i publikut në informacion dhe transparencë më e lartë e punës së Gjykatës.
Cili është buxheti i projektit?
Buxheti i projektit është 1,368,425 Euro
Si mund të merret më shumë informacion?
Më shumë informacion mund të merret në faqen zyrtare të projektit në platformën e Këshillit të Europës për zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin në drejtësi: Strengthening Constitutional Justice and Human Rights in Albania.
Informacion mbi projektin
Kohëzgjatja: 1 Maj 2026 – 30 Prill 2029
Vendi: Shqipëri
Financimi: Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA)
Partnerët kryesorë: Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë
