Back Studentë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut Vizitojnë Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Studentë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut Vizitojnë Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Studentë të drejtësisë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut - fitues të Konkursit Rajonal të Gjyqit Imitues të Halimi Foundation Institute - të shoqëruar nga mentorët e tyre, vizituan Këshillin e Evropës dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për të mësuar më shumë rreth punës dhe fushëveprimit të institucioneve evropiane në zemër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Vizita dy-ditore u ofroi studentëve një mundësi unike për të thelluar dijet e tyre mbi standardet dhe punën e Këshillit të Evropës në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, studentët u takuan me juristë të Gjykatës, duke u njohur drejtpërdrejt me procedurat kryesore, mandatin dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane. Ata patën mundësinë të merrnin pjesë në një sesion të dedikuar mbi ekzekutimin e vendimeve, duke rritur njohuritë e tyre se si zbatimi efektiv i vendimeve të Gjykatës nga shtetet anëtare kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë Evropën.

Gjatë vizitës së tyre, studentët mësuan rreth aspekteve të ndryshme të punës së Këshillit të Evropës, duke marrë pjesë në seanca mbi Programin e Edukimit për të Drejtat e Njeriut për Profesionistët Ligjorë (HELP), Mekanizmin Kombëtarë Parandalues dhe Komitetin për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues (CPT). Ata u njohën gjithashtu me rolin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut dhe iniciativat kryesore të Departamentit të Rinisë.

Duke reflektuar mbi vizitën, studentët thanë se ishte një përvojë me shumë ndikim ndërsa përgatiten të fillojnë karrierën e tyre ligjore. Mentorët e tyre theksuan rëndësinë e angazhimit të drejtpërdrejtë me institucionet evropiane, duke vënë në dukje se si një përvojë e tillë ndihmon në edukimin dhe frymëzimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve ligjorë.

Kjo vizitë u organizua nga projekti i Këshillit të Evropës “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”, i financuar nga Fondi i Mirëbesimit për të Drejtat e Njeriut (HRTF), i cili bashkon tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës: Finlandën, Gjermaninë, Irlandën, Luksemburgun, Holandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Strasburg, Francë 8-9 korrik 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail