Back Konferenca e Nivelit të Lartë në Shqipëri për të prezantuar raportin e fundit të GRECO-s

Konferenca e Nivelit të Lartë në Shqipëri për të prezantuar raportin e fundit të GRECO-s

Në një Konferencë të Nivelit të Lartë me temë "Forcimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit: arritjet më të fundit", e cila u ndoq nga partnerët ndërkombëtarë në vend, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi gjetjet e raportit të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) mbi luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Sipas raportit, Shqipëria ka zbatuar në mënyrë të kënaqshme 9 nga 10 rekomandimet e GRECO-s për parandalimin e korrupsionit në lidhje me deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët. Duke adresuar Konferencën, Sekretari Ekzekutiv i GRECO-s, z. Gianluca Esposito theksoi se, Shqipëria në një masë të madhe ka zbatuar masat e nevojshme për parandalimin e korrupsionit në degët legjislative dhe gjyqësore, edhe pse në lidhje me këtë të fundit nevojitet më shumë punë, ndërsa ky kuadër duhet të zbatohet në mënyrë efektive dhe të vazhdueshme në praktikë për të bërë një ndryshim domethënës.

Më tej ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Këshillit të Evropës për Shqipërinë në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se nisma e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri tashmë ka mundësuar rezultate të rëndësishme, të tilla si (i) ndryshimet në Ligjin për Partitë Politike dhe në Kodin Penal që forcojnë mbikëqyrjen dhe transparencën e financimit politik, (ii) rishikimin e Ligjit për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Detyrimeve Financiare të disa të Zgjedhurve dhe Nëpunësve Publikë, (iii) krijimi i një kuadri ligjor për Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, (iv) ndryshimet në legjislacionin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe (v) krijimin e një regjistri për pronarët përfitues.

Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri – është pjesë e programit të përbashkët të BE dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe implementuar nga Këshilli i Evropës.

 

 

Tiranë 14 tetor 2020
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page