Këshilli i Evropës, në kuadër të aksionit të tij për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar, miratoi sot një konventë të re penale për të parandaluar dhe luftuar trafikimin dhe shkatërrimin e paligjshëm të pronës kulturore.
Konventa mbi Veprat Penale që lidhen me Pronën Kulturore, e cila do të jetë e hapur për nënshkrim për çdo vend të botës, gjithashtu synon të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre krimeve të cilat po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të botës (shih gjithashtu Raportin Shpjegues).
Traktati do të paraqitet për nënshkrim në Nikosia (Qipro) më 19 maj, gjatë Sesionit të 127-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të sjellë së bashku ministrat për punët e jashtme të 47 shteteve anëtare të organizatës.
Sekretari i Përgjithshëm Thorbjørn Jagland tha: "Nuk mund të qëndrojmë pa bërë asgjë teksa shohim shkatërrimin e vendeve historike dhe trafikimin nga terroristët të objekteve të çmuara kulturore. Kjo konventë e re shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të luftuar krimin e organizuar transnacional dhe grupet terroriste të cilat po përdorin tregtinë e blood antiquities (objekte antike të fituara me gjak) si burim të ardhurash. U bëj thirrje shteteve që të nënshkruajnë dhe ratifikojnë konventën sa më shpejt që të jetë e mundur ".
Konventa, e cila do të jetë i vetmi traktat ndërkombëtar që trajton në mënyrë të veçantë kriminalizimin e trafikimit të paligjshëm të pronës kulturore, përcakton një numër veprash penale, duke përfshirë vjedhjen; gërmimi, importimi dhe eksportimi i paligjshëm; si dhe blerjen dhe vendosjen e paligjshme në treg. Gjithashtu, ajo kriminalizon falsifikimin e dokumenteve dhe shkatërrimin ose dëmtimin e pronës kulturore të kryer me dashje.
Traktati konsideron rrethanë rënduese kur vepra penale kryhet nga profesionistë që keqpërdorin besimin e vendosur në ta ose nga zyrtarët publikë përgjegjës për ruajtjen e pronës kulturore. Rrethana të tjera rënduese janë kryerja e krimit në kuadrin e një organizate kriminale ose kur autori i krimit është përsëritës.
Konventa e re parashikon masa parandaluese të tilla si krijimi i inventarëve kombëtarë publikë të pasurisë kulturore si dhe futja e detyrimit për tregtarët e artit dhe objekteve antike, shtëpitë e ankandeve dhe të tjerë të përfshirë në tregtinë e dorës së dytë, për të krijuar regjistrime të transaksioneve të tyre.
Për të siguruar zbatimin efektiv të saj, traktati krijon një mekanizëm monitorimi, i përbërë nga përfaqësues të Shteteve Palë.
Kontact: Jaime Rodriguez, Zëdhënës, Tel. +33 3 90 21 47 04
Këshilli i Evropës, Drejtoria e Komunikimit
Tel: +33 (0)3 88 41 25 60
Fax:+33 (0)3 88 41 39 11
[email protected]
www.coe.int


