Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të dënuarve në Shqipëri, personeli i burgjeve u trajnua për t'iu përgjigjur më mirë incidenteve të vetëvrasjes dhe vetëlëndimit në burgje. Trajnimi i organizuar me mbështetjen e projektit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri ”, mblodhi në Tiranë 25 profesionistë të ardhur nga burgu i grave “Ali Demi”, IEVP Durrës (akomodim i specializuar për të dënuarit me çrregullimet e shëndetit mendor) dhe IEVP Lezhë (seksioni përgjegjës për pacientët forensikë). Trajnimi u fokusua në zbulimin e hershëm të tendencave për vetëvrasje tek të dënuarit, reagimin ndaj incidenteve dhe zhvillimin e planeve individuale të trajtimit për të parandaluar të burgosurit nga vetëdëmtimi.
Kjo ndërhyrje që synonte rritjen e kapaciteteve të personelit penitenciar, ofroi njohuritë e nevojshme teorike të mbështetura me Standardet e Këshillit të Evropës dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për t'iu përgjigjur nevojave reale, trajnimi u përqendrua kryesisht në diskutimin e praktikave aktuale në burgjet shqiptare, veçanërisht në lidhje me ato mjedise ku akomodohen të dënuarit me çrregullime të shëndetit mendor; zhvillimi i reagimit të menjëhershëm ndaj incidenteve dhe planet multidisiplinare të trajtimit, të para si masa parandaluese për vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin në një mjedis burgu.
Gjatë diskutimeve, theksi u vu në bashkëpunimin e nevojshëm midis personelit të sigurisë dhe personelit psiko-social, rolit të menaxherëve të rasteve dhe domosdoshmërisë së protokolleve operacionale për stafin e burgjeve, të cilët do të projektohen si koordinatorë për parandalimin e vetëvrasjeve në të ardhmen.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të personave të dënuar në Shqipëri ”, si pjesë e iniciativës së përbashkët të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës Instrumenti Horizontal për Ballkanin perëndimor dhe Turqinë 2019-2022