Kursi HELP “Hyrje në parandalimin e korrupsionit”, i përshtatur në shqip për institucionet përfituese shqiptare, u prezantua në një aktivitet publik të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe të organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Shkollën Shqiptare për Administratën Publike.
Ky kurs online ndërveprues ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin mbi format e korrupsionit dhe mjetet parandaluese të tij, duke vënë fokusin tek etika, konflikti i interesit, kufizimet pas largimit nga detyra, mbrojtja e sinjalizuesve, etj. Kursi përmban shembuj praktik nëpërmjet të cilëve hidhet vëmendja tek dilemat etike dhe sfidat në zbatimin e masave antikorrupsion. Kursi do të zbatohet fillimisht për këshilltarët politikë, si target grupi i parë.
Në fjalën e saj hyrëse, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, theksoi rëndësinë e kursit në përmbushje të një prej rekomandimeve të GRECO-s dhe lidhjen e tij me prioritetet e qeverisë shqiptare për një administratë publike profesionale dhe me integritet. “Ta shikojmë këtë trajnim të sotëm si një element i pikturës së madhe të iniciativave që po ndërmarrim për të bërë ndërhyrje specifike në mënyrën sesi përqasemi ndaj metodave dhe kulturës së punës në administratë,” tha Pirdeni.
Giulia Re, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, përgëzoi autoritetet shqiptare për përpjekjet dhe punën e palodhur për përmirësimin e luftës kundër korrupsionit dhe zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s. Ajo theksoi se, qëllimi fundor i institucioneve shqiptare është shërbimi dhe mbrojtja e interesit publik. “Kultivimi i një kulture të integritet publik, duke treguar angazhim në nivelet më të larta politike në sektorin publik për rritjen e besimit të publikut dhe reduktimin e korrupsionit, përbën një ndër parimet thelbësore të rregulloreve të Këshillit të Evropës për zyrtarët publikë.” shtoi Re.
Kursi gjendet në platformën e Programit të Këshillit të Evropës për Edukimin e Profesionistëve Ligjorë mbi të Drejtat e Njeriut (HELP). Gjatë aktivitetit, ekspertët e Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të HELP treguan funksionet kryesore të platformës dhe ndanë me pjesëmarrësit një prezantim të hollësishëm të kursit të përshtatur me kontekstin vendas.
Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri është pjesë e Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë III, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës, i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.
