Impact and success stories 

Projektet e zbatuara në kuadër të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë po kontribuojnë në rezultate të prekshme për përfituesit dhe njerëzit në Shqipëri. Ky seksion i faqes sonë të internetit i dedikohet narrativave që kanë impakt të veçantë, historive njerëzore dhe shembujve të suksesit, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe ndikojnë pozitivisht në ndryshimin dhe përmirësimin e jetës së individëve, komuniteteve lokale ose shoqërisë në tërësi. Historitë tona të impaktit dhe suksesit e afrojnë punën tonë më pranë njerëzve duke paraqitur zëra të vërtetë, sfida konkrete dhe suksese të prekshme. Këto histori synojnë të rrisin ndërgjegjësimin, të mobilizojnë mbështetje dhe të nxisin politika të mira.

Le t’i kthejmë historitë tona të impaktit në frymëzim!

Back Një zë i fuqishëm nga Shqipëria sfidon barrierat e aftësisë së kufizuar

Një zë i fuqishëm nga Shqipëria sfidon barrierat e aftësisë së kufizuar

Prej 15 vitesh, Suela Lala, një përkrahëse e shquar e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri lufton diskriminimin dhe kërkon barazinë, me theks tek përshtatshmëria, përfshirja dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Suela është drejtoresha ekzekutive e fondacionit “Së Bashku”. Nën drejtimin e saj, janë mbështetur një numër i madh personash dhe organizatash për të raportuar diskriminimin, për të përdorur mekanizmat e ankimimit, si dhe për të arritur përmirësime të prekshme në arsim, shëndetësi, punësim dhe hapësira publike. Përmes punës së saj ajo vazhdon rritjen e ndërgjegjësimit ndaj barrierave sistemike me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri, si dhe kërkon ndryshimin në mënyrë që çdo person me aftësi të kufizuara të bëhet pjesë përbërëse e shoqërisë shqiptare, me dinjitet, barazi dhe qasje efektive në instrumentat juridike, në përputhje me standardet evropiane dhe detyrimet ndërkombëtare.

A mund të na flisni mbi fushën e veprimtarisë dhe punën e Fondacionit “Së Bashku”, si dhe për përpjekjet tuaja për të luftuar diskriminimin, me një theks të veçantë tek aksesueshmëria?

Personat me aftësi të kufizuara përballen me diskriminim thuajse në të gjitha aspektet e jetës në Shqipëri, përfshirë këtu arsimin, punësimin, shëndetësinë dhe aktivitetet shoqërore e kulturore. Diskriminimi është i kudondodhur, por Fondacioni ka hedhur dritë mbi shumë raste, sidomos ato që lidhen me aksesueshmërinë. Mohimi i aksesit në ndërtesa, trotuare, transport dhe hapësira të tjera publike përbën diskriminim të drejtpërdrejtë, i cili mund të raportohet tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ose të paraqitet në gjykatë. Edhe pse diskriminimi i drejtpërdrejtë është më i lehtë për t'u provuar, diskriminimi i tërthortë mbetet më i vështirë, për shkak të njohjes së pakët juridike dhe praktikës gjyqësore të kufizuar.

Pse është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësinë të paraqesin ankesa për diskriminim?

Në shumicën e rasteve, ne i paraqesim ankesat në emër të organizatës, e cila ka tagrin dhe interesin e arsyeshëm për ta bërë këtë, çka do të thotë se ne përfaqësojmë jo vetëm rastin konkret, por edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në mënyrë më të gjerë. Kjo qasje na mundëson të ndjekim rastet në të gjitha hapat procedurale. Megjithatë, ka raste kur personat me aftësi të kufizuara na raportojnë raste diskriminimi të cilat më pas ne i marrim përsipër vetë për të paraqitur ankesën. Sigurisht, ne kërkojmë paraqitjen e provave dhe, pas verifikimit të tyre, marrim autorizimin për të paraqitur ankesën. Në 99% të rasteve, pretendimet që na paraqiten janë të bazuara dhe, për këtë arsye, ekziston një probabilitet i lartë që të merret një vendim që njeh diskriminimin.

Si shembull, mund të jap një rast të kohëve të fundit që lidhet me një ndërtesë publike, ku kryhej vlerësimi i aftësisë së kufizuar nga komisioni përkatës në Shkodër, çka do të thotë se personat me aftësi të kufizuara e vizitonin shpesh këtë objekt për të përcaktuar statusin e tyre. Kur u përmend çështja e aksesueshmërisë së këtij objekti, argumenti i dhënë ishte se ndërtesa ishte e përkohshme dhe e marrë me qira, ndaj në të nuk mund të bëheshin ndërhyrje. Megjithatë, pas ngritjes së ankesës, u bë e qartë se ekzistonte një detyrim ligjor, në këtë rast konkret, për të ofruar vlerësimin në një ambient të përshtatur dhe, si pasojë, u morën masat e nevojshme për të korrigjuar situatën.

Cilat janë sfidat më të shpeshta me të cilat përballen njerëzit kur vendosin nëse do të paraqesin një ankesë?

Frika nga pasojat, sidomos kur pretendimet lidhen me punëdhënësit ose institucione të vartësisë, është një pengesë e madhe. Të shumtë janë ata që nuk arrijnë të kuptojnë se po përjetojnë diskriminim ose nuk janë të vetëdijshëm se ekzistojnë mjete për ta adresuar atë përmes procedurave administrative ose gjyqësore. Trajnimet e shpeshta dhe fushatat ndërgjegjësuese janë të domosdoshme për t’i ndihmuar personat me aftësi të kufizuara të kuptojnë të drejtat e tyre dhe të ndërmarrin veprime.

Në këtë kuadër, ngritja e kapaciteteve ka rëndësi të dorës së parë. Në shtator 2023, një trajnim i mbështetur nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri” trajnoi 35 persona me aftësi të kufizuara për të paraqitur ankesa. Ky trajnim nxori në pah nevojën e vazhdueshme për të fuqizuar mekanizmat e ankimimit dhe për të ndihmuar individët të njohin dhe raportojnë diskriminimin. Në vijim të trajnimit, pjesëmarrësit raportuan disa raste konkrete, të cilat u trajtuan me sukses nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Si e vlerësoni bashkëpunimin me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi?

E konsiderojmë Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi si një institucion proaktiv dhe mbështetës, i cili ka mbi një dekadë përvojë në adresimin e këtyre çështjeve. Procedura është e drejtpërdrejtë, ku barra e provës vendoset mbi të paditurin. Stafi i ndihmon ankimuesit pa krijuar barriera të tepërta, duke u dhënë udhëzime dhe duke vënë në dispozicion burime për t’i ndihmuar të kuptojnë të drejtat e tyre dhe të orientojnë efektivisht procesin. Këto përpjekje kontribuojnë në sigurimin e aksesit fizik për këtë komunitet, veçanërisht jashtë Tiranës, por edhe për të garantuar akses në komunikim dhe informim.

Çfarë këshille do t’u jepnit organizatave të tjera që duan të ndihmojnë individët në raportimin e diskriminimit dhe kërkimin e drejtësisë?

Mos hezitoni dhe mos kini frikë. Procesi i ankimimit është i realizueshëm dhe ndryshimi konkret është i arritshëm. Ecni drejt në rrugën tuaj dhe, me kohë do të fitoni përvojë. Kjo do t'jua bëjë më të lehtë ta adresoni diskriminimin sapo ai ndodh.

Për të përmirësuar të kuptuarit e rëndësisë së mekanizmit dhe efikasitetit të tij, duhet të jemi në gjendje t'u flasim më shumë personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht atyre që jetojnë në zona të largëta, ku organizatat e shoqërisë civile mund të mos jenë edhe aq të pranishme."

Puna frymëzuese e Suela Lalës dhe Fondacionit “Së Bashku” është një dëshmi e gjallë që na tregon se si ankesat individuale mund të nxisin ndryshime sistemike, duke garantuar jo pak herë aksesueshmërinë dhe duke rritur mundësitë e barabarta për personat me aftësi të kufizuara. Me ndihmën e projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Fuqizimi i Mbrojtjes nga Diskriminimi në Shqipëri, këto përpjekje mbështeten në Strateginë e Këshillit të  Evropës për personat me Aftësi të Kufizuara 2017–2023 dhe në Strategjinë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2021–2030.

Duke fuqizuar individët të njohin dhe të sfidojnë diskriminimin, si dhe duke realizuar partneritete më të ngushta me institucione kyçe si Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizatat e shoqërisë civile, kjo nismë ka nisur të japë kontribute konkrete për qytetarët në Shqipëri në zbatim të standardeve evropiane.

 

Shqipëri 25 gusht 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page

Modernizimi i të drejtës së pronës në Shqipëri: Në brendësi të transformimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës

7 maj 2026 Tiranë, Shqipëri

Lorena Goxhobelli, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), në këtë intervistë diskuton mbi reformat e gjera që po transformojnë administrimin e pronës në Shqipëri. Nga përpjekjet për modernizimin dhe digjitalizimin e sistemit të Kadastrës për të rritur transparencën...

Read More

Nga Siria, tek Ri-integrimi: Mbështetje të Dënuarve për Ekstremizëm të Dhunshëm në Sistemin e Provës në Shqipëri

4 Maj 2026 Tiranë / Shqipëri

Me rrobat e saj të errëta, Fatime* qëndron e ulur në heshtje, duket sikur nuk ka interes për asnjë bisedë dhe pret me padurim të takojë Oficerin e saj të Provës në Tiranë. Çdo tre muaj, ajo duhet të paraqitet dhe të diskutojë progresin e saj me autoritetet e provës. Ajo është një nga nëntë gratë...

Read More

Intervistë me Prof. Dr. Ilirjan Mandron - Rektor i Akademisë së Sigurisë në Tiranë

Barazi, Mosdiskriminim dhe Diversitet në Trajnimin Policor

21 prill 2026 Tiranë, Shqipëri

A mund të na prezantoni shkurtimisht Akademinë e Sigurisë, duke përfshirë mandatin e saj, strukturën dhe numrin e kadetëve dhe oficerëve që trajnohen çdo vit? Si Rektor, cilat janë reformat dhe prioritetet kryesore në të cilat po përqendroheni aktualisht? Akademia e Sigurisë është institucioni i...

Read More

Një zë i fuqishëm nga Shqipëria sfidon barrierat e aftësisë së kufizuar

25 gusht 2025 Shqipëri

Prej 15 vitesh, Suela Lala, një përkrahëse e shquar e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri lufton diskriminimin dhe kërkon barazinë, me theks tek përshtatshmëria, përfshirja dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Suela është drejtoresha ekzekutive e fondacionit “Së Bashku”. Nën drejtimin e...

Read More

Nga humbja e shpresës tek gjetja e sigurisë juridike: Një udhëtim në kërkimin e të drejtave tuaja pronësore në Shqipëri

16 Maj 2025 Albania

Apartamenti i vogël në katin e dytë të një ish-ndërtese të epokës komuniste, i vendosur në një rrugë kryesore jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, Tiranë, është gjithmonë i mbushur me njerëz. Nën sytë vigjilentë të qytetarëve të shqetësuar, zyrtarët e Shoqatës së Ndihmës Ligjore të Tiranës...

Read More

Përparimi i reformave kundër korrupsionit në Shqipëri: nga edukimi tek transformimet konkrete

04 Prill 2025 Shqipëri

“...Që nga koha e studimeve, kam pasur një interes të veçantë për të kontribuar në fushën e luftës kundër korrupsionit. E shoh atë si një sfidë madhore për vendin tonë dhe, mbi të gjitha, si një çështje urgjente, veçanërisht në kontekstin e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin...

Read More


 

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail