Është një e martë e nxehtë në Tiranë, i drejtohemi Gjimnazit “Sami Frashëri”, ku takojmë Irën dhe Aleksandrin, të dy në vitin e tyre të fundit. Së bashku vizitojmë “Laboratorin për Demokraci” inauguruar së fundmi, i cili nuk është një klasë e zakonshme. Është një hapësirë fleksibile dhe interaktive e cila ka një platformë digjitale me ekran me prekje. Mobilje modulare krijojnë një ambient dinamik për punë në grup, debate apo mësim pjesëmarrës, ndërsa ofron një gamë të gjerë materialesh burimore mbi qytetarinë demokratike. “Mësimi dhe të mësuarit jo vetëm bëhen më interaktive dhe interesante falë mjeteve që kemi në këtë laborator, por nxisin edhe bashkëpunimin dhe përfshirjen,” tregon Ira pa fshehur entuziazmin, ndërsa lëviz me shpejtësi gishtat në sipërfaqen e ekranit të madh me prekje, ku shfaqen vizualisht detaje të një mësimi në gjeografi. Aleksandri tund kokën duke pohuar dhe shton: “Tani mund t’i prekim lëndët konkretisht, në mënyrë praktike, gjë që ka ndryshuar në themel mënyrën e të mësuarit në shkollë.”
Një shkollë e transformuar: Mësim fleksibel dhe qytetari aktive
“Laboratori për Demokraci” nuk është klasë e zakonshme. Mësuesja Marsida Shehi, e cila ka ndjekur zhvillimin e laboratorit që në fillimet e tij, e sheh ndryshimin çdo ditë: “Laboratori është fleksibël dhe mbështet një ‘qasje gjithë-shkollore’. Përdoret në çdo lëndë: qytetari, gjeografi, letërsi dhe teknologji informacioni. Të mësuarit bëhet i prekshëm, dhe të gjithë nxënësit kanë mundësinë të ndërveprojnë me mjete vizuale por edhe me njëri-tjetrin.”
Ndërkohë, Aleksandri, që është edhe President i Qeverisë së Nxënësve, ndan përvojën e tij personale: “Tani nuk jemi të kufizuar vetëm te teoria apo të mësuarit manual. Tani kemi mundësinë të eksplorojmë më shumë, të bëjmë pyetje dhe të eksperimentojmë…” Ndërsa flet, ai demonstron mundësitë e pafundme të platformës digjitale duke eksploruar modulin mbi “Rrjetet Sociale, Demokracia dhe të Drejtat e Njeriut”.
Kur pyetet për përfitimet e këtij Laboratori, Drejtoresha e Gjimnazit “Sami Frashëri”, Majlinda Ziu, thekson se ky ndryshim po formon një mentalitet të ri në sistemin arsimor në Shqipëri: “Iniciativa ka gjallëruar gjithë shkollën, duke dhënë formë konkrete koncepteve abstrakte të të drejtave të njeriut dhe shtetësisë. Nuk po formojmë më vetëm nxënës që mësojnë mësimet përmendësh, por po rrisim qytetarë të përgjegjshëm dhe të pavarur, të cilët nesër do të dinë të kontribuojnë në mënyrë aktive në shoqërinë tonë.”
Laboratori përtej mureve: Komunitet dhe ndërlidhje
Një dimension themelor i filozofisë së Këshillit të Evropës është shkolla si një qendër komunitare e hapur. Në këtë frymë, laboratori hap dyert edhe për komunitetin e gjerë lokal. Nëpërmjet programit “Vullnetarizmi Digjital,” nxënësit mund t’i ndihmojnë të moshuarit lokalë, të promovojnë përfshirjen dhe njohuritë digjitale. Kështu, gjyshet dhe gjyshërit ftohen të vizitojnë laboratorin, ku asistohen për të hapur llogari personale në platformën e-Albania, marrin ndihmë si të kenë qasje në shërbime publike të nevojshme dhe shërbime të tjera thelbësore ‘online’. “Kjo nxit dialogun ndër breza dhe forcon solidaritetin. Të moshuarit ndihen të vlerësuar duke ndarë përvojën e tyre dhe nuk ndihen të përjashtuar nga inovacioni i së tashmes, ndërsa nxënësit e rinj praktikojnë qytetari aktive duke ndihmuar ata që kanë nevojë,” thotë mësuesja Marsida.
Ndikimi në të gjithë Shqipërinë: Një rrjet në rritje i edukimit demokratik
E gjithë kjo nuk është një rast i izoluar. Janë 17 laboratorë që po funksionojnë në shkolla të ndryshme, përfshirë ato në Divjakë, Shkodër, Tropojë, Gjirokastër, Devoll, Elbasan, Tiranë dhe të tjera. Këto laboratorë i shërbejnë më shumë se 9,524 nxënësve dhe 623 mësuesve në mbarë Shqipërinë.
Këto hapësira janë pajisur me një bazë të gjerë materialesh burimore nga Departamenti i Arsimit të Këshillit të Evropës, të përshtatura për kontekstin shqiptar. Seritë e botimeve dhe udhëzuesve të dedikuara për nxënësit, mësuesit dhe prindërit janë të disponueshme në raftet e laboratorit, duke adresuar tema të rëndësishme si edukimi për shtetësi digjitale, plane konkrete mësimore mbi ‘fake-news’, aktivizmin e të rinjve, parandalimin e bullizmit kibernetik dhe shumë tema të tjera.
Ndërsa Ira dhe Aleksandri presin të diplomohen vitin e ardhshëm, ata ndjejnë ndikimin që Laboratori për Demokraci ka, në çdo mësim dhe bisedë mes nxënësve. Ata i përdorin këta laboratorë innovative jo vetëm për të mësuar, por edhe për të udhëhequr rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritur, ku dijet, qytetaria digjitale dhe kultura demokratike ecin krah për krah.
“Laboratorët për Demokraci” u zhvilluan me mbështetjen e projektit “Forcimi i Edukimit për Shtetësi Demokratike në Shqipëri” të zbatuar nga Këshilli i Europës dhe financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).






