Back Nga nxënës në qytetarë të angazhuar: Fuqia e Votës së parë

Nga nxënës në qytetarë të angazhuar: Fuqia e Votës së parë

Rrugëtimi i Geraldina Priftaj nga një studente në një qytetare aktive është i mbushur me pritshmëri dhe emocion. Sapo ka përfunduar gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, Geraldina mezi pret të nisë rrugëtimin e saj për t’u bërë gazetare. Tashmë 18-vjeç, ajo është gati për një moment të rëndësishëm në jetën e saj: hedhjen e votës së parë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Këtë vit, ajo zhvilloi një përvojë të re si pjesë e programit për votuesit për herë të parë, në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës Fuqizimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri, financuar nga Republika Federale e Gjermanisë. I hartuar për të ndihmuar të rinjtë si Geraldina të orientohen në procesin e tyre të parë zgjedhor, programi bëri më shumë sesa thjesht të transmetonte njohuri: ai krijoi mundësi për fuqizimin e votuesëve të rinj, duke i zhvilluar tek ata besimin dhe kuptueshmërinë e nevojshme për të zgjedhur kandidatët më të përshtatshëm dhe për të marrë vendimet që do të formësojnë të ardhmen e tyre.

Për Geraldinën, aktivitetet e programit lanë gjurmë, jo vetëm në kuptimin e pjesëmarrjes demokratike dhe angazhimit qytetar, por edhe në ndjenjën e përgjegjësisë. “Në takimet e para të organizuara në shkollë, nuk mendoja se do kishte impakt kaq të madh tek unë. Ky program ndryshoi tërësisht qasjen time, por edhe për nxënësit e tjerë, pikëpamjet që kishim mbi një proces zgjedhor”, tregon Geraldina. Hap pas hapi, ajo së bashku me nxënësit e tjerë mësuan mbi mekanizmat dhe rëndësinë e votimit, mënyrën se si kandidatët ndërtojnë programet e tyre, si të vlerësojnë premtimet dhe si të mendojnë në mënyrë kritike për zgjedhjet që bëjnë. Geraldina vuri re se bashkëmoshatarët e saj shpesh kishin tendencën ta anashkalonin politikën, duke zgjedhur kandidatët e preferuar nga familjet e tyre pa u përpjekur të analizojnë më tej. Megjithatë, projekti nxiti kureshtjen dhe diskutimet, duke i frymëzuar nxënësit të bisedojnë, të bëjnë pyetje dhe të kuptojnë më mirë procesin. “Ndryshe nga më parë, diskutimet tona në shoqëri tashmë janë edhe politike e këto njohuri të fituara përpiqem t’i ndaj me bashkëmoshatarët e mi si në biseda të rastësishme apo informale, edhe në debate te strukturuara në shkollë”, shpjegon ajo.

Programi e shndërroi klasën në një laborator të gjallë të demokracisë. Votimi solli në jetë të gjithë procesin zgjedhor, nga fillimi deri në fund: çdo nxënës luajti një rol të caktuar, nga anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit, deri te gazetarët, përfshirë edhe kuti votimi reale të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Çdo gjë funksionoi si në një qendër të vërtetë votimi, ku secili zbatoi me përpikmëri detyrat që i ishin dhënë”, vuri në dukje Geraldina, duke theksuar se zgjedhjet e simuluara (mock elections) ishin sa më realiste që të ishte e mundur. “Tashmë në zgjedhjet e ardhshme e di shumë mirë se cfarë duhet të bëj, e çfarë më pret...”, thotë ajo me buzëqeshje.

Rozvana Nano, mësuesja e cila e ka ndjekur nga afër këtë program që në fillimet e tij, vuri re një transformim të dukshëm: nxënësit kaluan nga interesi sipërfaqësor, në debate të bazuara mbi integritetin zgjedhor, fshehtësinë e votës dhe analizën kritike të programeve politike. “Votimi pa një bazë të shëndoshë teorike dhe praktike rrezikon të kthehet në një proces mekanik. Ndaj edukimi përpara votimit të parë u jep të rinjve mjetet e duhura për të zhvilluar mendimin kritik, për të kuptuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe për t'u bërë vëzhgues të integritetit të procesit zgjedhor në komunitetet e tyre”, nënvizoi Nano

Mbështetja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte thelbësore, jo vetëm për sigurimin e burimeve të nevojshme, por edhe në ndihmën e dhënë për të sjellë demokracinë në klasë: elementët e vërtetë të procesit zgjedhor e afruan përvojën e nxënësve me një votim real. Erton Sinani, Drejtor i Kabinetit, beson se këto mësime hedhin themelet për një angazhim qytetar afatgjatë: “Për KQZ-në, edukimi zgjedhor nuk është një aktivitet i kufizuar vetëm në periudhën zgjedhore, por një investim afatgjatë për krijimin e një kulture demokratike. Nxënësit nuk e përjetuan zgjedhjen vetëm si një koncept teorik, por si një proces praktik ku secili ka rëndësi për garantimin e një procesi transparent dhe të besueshëm. Pjesëmarrja e votuesve për herë të parë në zgjedhjet qendrore të vitit 2025 shënoi një rritje prej 3.34%, krahasuar me ciklin e mëparshëm. Kjo rritje e moderuar tregon se pjesëmarrja nuk lidhet thjesht me një bazë më të madhe zgjedhësish të rinj, por kryesisht me një gatishmëri më të lartë të tyre për të marrë pjesë në procesin zgjedhor”,

Shtrirja e programit ishte e gjerë, duke përfshirë 335 shkolla dhe më shumë se 20,000 nxënës dhe 2,000 mësues, me Akademinë e Studimeve Politike që udhëhoqi zbatimin në nivel vendor. “Sondazhi ynë me mësuesit dhe nxënësit e përfshirë në program dëshmoi edhe njëherë se shkolla ishte burimi kryesor i informacionit të tyre për procesin zgjedhor. Ky është një tjetër konfirmim i objektivit të programit për të përfshirë edukimin zgjedhor si pjesë të kurrikulave formale të Shkollave në Shqipëri, duke nisur nga cikli 9-vjecar. Duhet të shfrytëzojmë format bazike të edukimit qytetar për të arritur te çdo nxënës dhe më tej edhe në familjet e tyre, por në një mënyrë inovative”, u shpreh Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv, duke nënvizuar ndikimin afatgjatë të programit.

“Forcimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri” është më shumë sesa thjesht një program për votimin. Ai kultivon edukimin e votuesve të rinj dhe fuqizon zërin e tyre, duke nxitur pjesëmarrjen qytetare dhe duke rritur qëndrueshmërinë përmes kurrikulave të edukimit zgjedhor, përfshirë programet informuese për votuesit e rinj dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Programi forcon edukimin zgjedhor dhe kurrikulat përkatëse, si dhe promovon pjesëmarrjen e të rinjve. Ai bazohet në rekomandimet e Këshillit të Evropës, përfshirë ato të Komisionit të Venecias, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Në përputhje me këto rekomandime, programi sjell edukimin demokratik në praktikë, duke ndihmuar votuesit e ardhshëm të zhvillohen si qytetarë aktivë dhe të aftë për të sjellë ndryshime në shoqërinë e së nesërmes.

Ky rrugëtim dëshmoi fuqinë e investimit në edukimin qytetar të të rinjve. Duke i pajisur nxënësit me aftësinë për të analizuar, debatuar dhe marrë vendime të informuara, Këshilli i Evropës po kontribuon në formimin e një brezi jo vetëm të gatshëm për të votuar, por edhe për të luajtur një rol aktiv dhe udhëheqës në jetën demokratike të Shqipërisë. Këshilli i Evropës synon të krijojë përfitime të qëndrueshme dhe afatgjata, përtej mureve të klasave, duke hedhur themelet për një shoqëri më demokratike në tërësi. Angazhimi i të rinjve në zgjedhje është shumë më tepër sesa një detyrim qytetar. Ai është një mundësi për të fuqizuar zërat dhe ëndrrat e brezit të ri për të ardhmen e Shqipërisë.

Tiranë, Shqipëri 13 korrik 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail