Një delegacion shqiptar i përbërë nga përfaqësues të të zgjedhurve vendor dhe rajonal, ekspertë dhe një anëtar i Agjencisë Kombëtare për Reformë Territoriale morën pjesë në një vizitë studimore në Letoni, e organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Letoneze për Qeveritë Lokale dhe Rajonale. Kjo vizitë u zhvillua në të njëjtën kohë kur Kuvendi i Shqipërisë po diskuton aktualisht një projektligj të ri mbi organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore. Vizita përfshinte prezantime mbi strukturën e Shoqatës Kombëtare Letoneze dhe rolin e saj në advokim dhe negocim të buxhetit, në mënyrë që t'i ofroheshin delegacionit shqiptar shembuj konkret se si mund të rriten në Shqipëri proceset që lidhen me konsultime mes njësive të qeverisjes vendore dhe autoriteteteve kombëtare .
Anëtarët e delegacionit u mirëpritën nga Andris Jaunsleinis, Kryetar i Shoqatës dhe gjithashtu Kryetar i Delegacionit të Letonisë në Kongres (Letonia, GILD-ILDG). Delegacioni u takua gjithashtu me anëtarët e Shoqatës si dhe me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit të Letonisë. Ata u impresionuan veçanërisht nga përfshirja e lartë e Shoqatës në të gjitha vendimet kombëtare që ndikojnë autoritetet lokale dhe në negocimin dhe nënshkrimin e Memorandumit Vjetor të Mirëkuptimit që cakton shumën e subvencioneve dhe granteve të dedikuara për Njësitë Vendore. Ata gjithashtu shkëmbyen përvojat në lidhje me amalgamimin e njësive vendore si dhe vizituan bashkinë Jelgava, e vendosur në afërsi të Rigës, e cila u formua nga bashkimi i 13 ish – bashkive rurale në provincën Jelgava, pas reformës territoriale të vitit 2009.
Shoqata Letoneze është gjithashtu një partner i privilegjuar në diskutimet që ndodhin në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare. Duke qenë se është përfaqësuesja zyrtare e qeverive lokale e njohur me ligj dhe një aktor i fortë falë këtij përfaqësimit si dhe falë stafit të saj profesional, Shoqata po vepron gjithashtu si një organizatë ombrellë për rrjete më të vogla sektoriale, siç janë rrjeti i bashkive më të vogla (me më pak se 5.000 banorë), e cila është duke u ngritur aktualisht. "Shumë mund të mësohet nga shembulli Letonez", deklaroi Majlinda Bufi, kryetare e Bashkisë Roskovec (Shqipëri, NI-NR) dhe anëtare e Kongresit. "Edhe në qoftë se ne nuk mund të kopjojmë modelin e Letonisë në vendin tonë", vuri në dukje ajo, "ekzistenca e një shoqate ombrellë është qartazi një pasuri për ndërtimin e një pozitë të fortë në marrëdhëniet me autoritetet kombëtare". Ajo shtoi se kjo "nuk përbën një pengesë për diversitetin dhe sigurisht që është një shembull frymëzues për ne".
Vizita studimore u organizua në kuadër të projektit "Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Lokale dhe Bashkëpunimin mes të Zgjedhurve Vendorë në Shqipëri", zbatuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, me mbështetjen financiare të Qeverisë së Zvicrës.