Përfitues dhe aktorë publikë nga i gjithë Ballkani Perëndimor u mblodhën në Durrës / Shqipëri për të riformuluar rezultatet e bashkëpunimit të shtuar ndërkufitar në menaxhimin e të burgosurve dhe autorëve të ekstremizmit të dhunshëm, në një konferencë dy-ditore të organizuar me mbështetjen e BE-së dhe Këshillit të Evropës.
Ekspertë dhe praktikues nga Ballkani Perëndimor, vendet anëtare të BE-së, partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga shërbimet e burgjeve dhe të provës, ministritë përkatëse, organizata të shoqërisë civile dhe komunitete fetare patën mundësinë të shkëmbejnë praktikat më të mira, të diskutojnë sfidat e reja dhe të identifikojnë qasje efektive të përbashkëta për rehabilitimin dhe ri-integrimin e të burgosurve dhe autorëve të ekstremizmit të dhunshëm (VEPs/VEOs), si edhe të të burgosurve të tjerë të ndjeshëm ndaj radikalizimit.
Pjesëmarrësit theksuan se rehabilitimi i qëndrueshëm dhe riintegrimi i suksesshëm mund të arrihen vetëm përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndër-institucional, ndërhyrjeve të koordinuara dhe angazhimit aktiv të komuniteteve lokale. Ata rikonfirmuan se një qasje gjithëpërfshirëse “mbarë-shoqërore” mbetet thelbësore për reduktimin e recidivizmit, parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm dhe mbështetjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjate në komunitet. Kjo përfshin përcaktimin e qartë të roleve dhe përgjegjësive të të gjithë aktorëve relevantë në sigurimin e mbështetjes pas lirimit, si dhe krijimin e mekanizmave të mirëpërcaktuar për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet aktorëve. Në këtë kontekst, është thelbësore ndërtimi i kapaciteteve të të gjitha institucioneve dhe palëve të interesuara për të siguruar rehabilitim dhe ri-integrim efektiv. Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit theksuan më tej rëndësinë e monitorimit sistematik të progresit të rehabilitimit dhe ri-integrimit për të siguruar vazhdimësinë, llogaridhënien dhe efektivitetin e ndërhyrjeve.
Një seksion i dedikuar i konferencës trajtoi dimensionin gjinor të radikalizimit, duke shqyrtuar rolin e grave në organizatat ekstremiste, qasjet e rehabilitimit të ndjeshme ndaj gjinisë dhe mësimet e nxjerra nga puna me gratë e kthyera në Ballkanin Perëndimor. Konkluzionet e konferencës ofrojnë një bazë për përmirësimin e përgjigjeve “gjithë-shoqërore” ndaj në rajon, forcimin e përpjekjeve për rehabilitim dhe ri-integrim dhe reduktimin e rrezikut të recidivizmit.
Konferenca u pasua nga mbledhja e 7-të e Komitetit Drejtues të veprimit rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, ku përfaqësuesit e Përfituesve nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova*, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia vlerësuan vazhdimësinë e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës. Ata bënë një bilanc të arritjeve kryesore dhe diskutuan përparësitë që kërkojnë mbështetje të mëtejshme në fushën e VEPs/VEOs në rajon.
Këto aktivitete u organizuan nga projekti rajonal “Forcimi i bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor në menaxhimin e ekstremizmit të dhunshëm në burgje dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm pas lirimit”, në kuadër të programit të përbashkët të BE-së dhe Këshillit të Evropës, Instrumenti Horizontal III.
* Ky përkufizim është pa paragjykim ndaj qëndrimeve për statusin, dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244/1999 dhe Opinionin e GJND-së mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.



