25 punonjës të sistemit penitenciar nga të gjitha institucionet penitenciare nga mbarë Shqipëria, përfshirë trajnerë në terren si dhe staf me përvojë të policisë së burgjeve dhe të shërbimeve psiko-sociale, u mblodhën në Tiranë për një aktivitet tre-ditor të ndërtimit të kapaciteteve. Ky është një hap i rëndësishëm përpara në procesin e ndërtimit të një rrjeti trajnerësh në të gjitha IEVP Shqiptare.
Nisma, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, vjen si përgjigje ndaj nevojave për ristrukturimin e Qendrës së Trajnimit për stafin penitenciar dhe synon forcimin e kapaciteteve të brendshme trajnuese përmes fuqizimit të stafit të përzgjedhur që do të shërbejnë si trajnerë të ardhshëm.
Në këtë kontekst, Qendra e Trajnimit ka nisur krijimin e njësive trajnuese brenda çdo institucioni penal në Shqipëri, çka do të rrisë efikasitetin e trajnimeve, do të mbledhë dhe adresojë nevojat për trajnim në sistemin penitenciar, si dhe do të përfitojë nga njohuritë dhe përvoja e përshtatur që ekziston në terren. Të gjithë trajnerët lokalë të përzgjedhur u trajnuan mbi tema të ndryshme përfshirë vlerësimin e nevojave për trajnim, zhvillimin e moduleve specifike trajnuese, si dhe metoda kyçe si studime rasti, ushtrime demonstrative, diskutime të udhëhequra, etj.
Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit identifikuan mbështetjen dhe burimet shtesë që nevojiten për të forcuar rolin e tyre si trajnerë lokalë në të ardhmen. Krijimi i këtyre njësive trajnuese në çdo IEVP rrit kompetencën e stafit dhe ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen të dënuarve.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të Projektit Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut për personat e dënuar në Shqipëri, pjesë e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – Faza III.


