Sot, 27 shkurt 2023, Ambasadori Dastid KORESHI, Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë, nënshkroi Protokollin e Dytë Shtesë të Konventës për krimin kibernetik, për bashkëpunimin e zgjeruar dhe zbulimin e provave elektronike. Nënshkrimi i krye në Strazburg në prani të Zëvendësekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës Bjørn Berge.
Protokolli i dytë shtesë për bashkëpunimin e zgjeruar dhe zbulimin e provave elektronike u hap për nënshkrim më 12 maj 2022 në kuadër të një konference ndërkombëtare në Strazburg, Francë. Ky instrument ligjor ofron mjete inovative, të tilla si kërkimi në mënyrë të drejtpërdrejtë për regjistruesit në juridiksione të tjera për të marrë informacione për regjistrimin e emrit të domain-it, bashkëpunim të drejtpërdrejtë me ofruesit e shërbimeve në juridiksione të tjera për të marrë informacion mbi pajtimtarët, mjete më efektive për të marrë informacion mbi pajtimtarët dhe të dhënat e trafikut përmes bashkëpunimit ndërqeveritarë, bashkëpunimi i shpejtë në situata emergjente, ekipe të përbashkëta hetimore dhe hetime të përbashkëta, video-konferenca, me një sistem të fortë mbrojtjesh të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave personale.
- Këshilli i Evropës: Protokolli i dytë shtesë i Konventës për krimin kibernetik (faqe në internet e Zyrës së Traktateve)
- Këshilli i Evropës: Protokolli i dytë shtesë i Konventës për krimin kibernetik (faqe e dedikuar në internet)


