Gjatë Javës së Integritetit 2025, nxënës nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë u bënë bartës të një mesazhi të fuqishëm për integritetin dhe transparencën. Në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës Forcimi i Edukimit për Qytetari Demokratike në Shqipëri, u zhvilluan aktivitete që vunë në fokus kreativitetin dhe zërin e të rinjve. Nën moton “Shkollat për Integritetin: Të rinjtë flasin përmes artit”, aktivitetet synuan promovimin e vlerave të qytetarisë aktive dhe transparencës si në shkollë ashtu edhe në shoqëri.
Një aktivitet i rëndësishem ishte debati interaktiv, ku morën pjesë më shumë se 50 nxënës dhe mësues nga shkolla të mesme të Tiranës dhe Elbasanit. I organizuar në formatin “world café”, debati u ofroi të rinjve mundësinë të diskutonin mbi dilemat etike dhe të reflektonin për rëndësinë e integritetit në proceset vendimmarrëse. Gjatë diskutimeve, ata gjeneruan ide të reja, duke theksuar rolin e integritetit në jetën e përditshme dhe në sfidat që ata përballen në shkollë. Pjesëmarrës në debat ishin edhe përfaqësues nga institucione publike, sektori privat dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilët e pasuruan diskutimin me eksperiencat dhe sugjerimet e tyre.
Me tej, ekspozita "Integriteti frymëson – të rinjtë flasin përmes artit" mori vëmendjen e të gjithë vizitorëve. Punimet artistike të nxënësve, të cilat përfshinin piktura dhe krijime të tjera, pasqyruan vlerat e integritetit dhe përpjekjet për një shoqëri më të ndershme. Nxënësit përdorën artin si një mjet për të shprehur mendimet e tyre mbi rëndësinë e integritetit, jo vetëm në shkolla, por edhe në jetën e përditshme. Ekspozita, e cila u mbajt në Qendrën për Hapje dhe Dialog, dhe u përshëndet nga Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Adea Pirdeni, Ministër Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Orjana Osmani, Zëvendësministre e Arsimit, dhe Nicholas A. Rana, Kryetar i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri.
Gjatë ekspozitës, nxënësit patën mundësinë të prezantonin punimet e tyre dhe të diskutonin me vizitorët mbi mesazhin që synonin të përcillnin. Përveç ekspozitës, pjesëmarrësit shijuan edhe ese mbi integritetin dhe morën certifikata vlerësuese për kontributin e tyre. Ky angazhim u shoqërua me një ndarje të mendimeve dhe një shkëmbim frymëzimesh, duke forcuar angazhimin e të rinjve për një shoqëri më të hapur dhe demokratike.
Aktivitetet u organizuan nga projekti i Këshillit të Evropës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Ministrinë e Arsimit, dhe Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në Shqipëri, me mbështetje financiare nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).


