Back Autoritetet publike në Shqipëri rrisin kapacitetet e tyre për zbatimin e të drejtave të pronës dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përkatëse

Autoritetet publike në Shqipëri rrisin kapacitetet e tyre për zbatimin e të drejtave të pronës dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përkatëse

Institucionet publike të angazhuara në fushën e të drejtave të pronës në Shqipëri ndërmorën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ekspertizës së tyre, gjatë Trajnimit dy-ditor të Trajnuesve me temë "Të drejtat e pronës dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore". Aktiviteti i organizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës, u mbajt në kuadrin e theksit të vendosur nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) dhe vendimeve të saj të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pronës, siç përcaktohet në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Trajtimi i mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ose të formës jo të prerë ishte në fokusin e këtij aktiviteti që synon fuqizimin e autoriteteve përkatëse me njohuri dhe mjete të vlefshme për të garantuar që mbajtësit e të drejtave në Shqipëri të gëzojnë të drejta sa më të mira të njeriut nëpërmjet përmirësimit të kapaciteteve vendase për të zbatuar të drejtat e pronës dhe për të ekzekutuar vendimet përkatëse të GJEDNJ.

Trajnimi mblodhi përfaqësues të nivelit të lartë nga institucionet kryesore, përfshirë Avokaturën e Shtetit, Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Inspektoratin Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, Agjencinë e Trajtimit të Pronës dhe Ministrinë e Drejtësisë. Qëllimi kryesor ishte t’u jepej institucioneve shqiptare një kuptim gjithëpërfshirës i standardeve dhe praktikave të GJEDNJ-së, duke nxitur jo vetëm ekzekutimin efektiv të detyrimeve ekzistuese, por edhe një qasje sa më të unifikuar administrative në të ardhmen. Rezultati i pritshëm i ndihmës së dhënë ndaj autoriteteve shqiptare në fushën e të drejtave pronësore është një reduktim i numrit të çështjeve të paraqitura në GJEDNJ, duke kontribuar në një peizazh ligjor sa më të efektshëm.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në mënurë specifike për Shqipërinë, legjislacionin vendas në lidhje me të drejtat e pronës dhe rolet e institucioneve të përfshira në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Trajnimi eksploroi, gjithashtu, vendime të rëndësishme të marra nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Gjykata e Lartë në lidhje me të drejtat e pronësisë. Përtej efektit të menjëhershëm te pjesëmarrësit, ky aktivitet i ngritjes së kapaciteteve përbën një investim thelbësor në zhvillimin afatgjatë dhe efektivitetin e aktorëve kryesorë në Shqipëri të përfshirë në fushën e të drejtave pronësore.

Kjo nismë lidhet me projektin Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri, në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Gjiri i Lalzit, Shqipëri 22 - 23 shkurt 2024
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page