Këshilli i Evropës ka nisur një projekt të ri, Forcimi i Qëndrueshmërisë së Sektorit Publik ndaj Korrupsionit, i bashkëfinancuar nga Qeveria Zvicerane dhe Këshilli i Evropës. Gjatë dy viteve të ardhshme, nisma do të mbështesë institucionet publike në forcimin e masave kundër korrupsionit, përmirësimin e rikuperimit të aseteve dhe promovimin e ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara, me qëllim rritjen e besimit të publikut.
Projekti u prezantua zyrtarisht gjatë mbledhjes së parë të Komitetit Drejtues, ku morën pjesë përfaqësues të Këshillit të Evropës, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, si dhe autoriteteve shqiptare. Takimi shërbeu si një mundësi për të diskutuar objektivat dhe aktivitetet e planifikuara të projektit.
Në fjalët e tyre, Zëvendës Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Olsi Dekovi, dhe Shefja e Sektorit të Qeverisjes dhe Shëndetësisë në Ambasadën Zvicerane, Sabine Piccard, theksuan rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për institucionet shqiptare në avancimin e reformave kundër korrupsionit si një komponent kyç i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e institucioneve kryesore partnere, rikonfirmuan angazhimin e tyre ndaj objektivave të projektit.


