Back Iniciativa të reja bashkëpunimi për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parasë prezantohen në Tiranë

Iniciativa të reja bashkëpunimi për forcimin e qëndrueshmërisë ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parasë prezantohen në Tiranë

Këshilli i Evropës ka prezantuar zyrtarisht dy projekte të reja bashkëpunimi në Shqipëri. Të bashkëfinancuara nga Zvicra dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatuara nga Këshilli i Evropës, projektet do të mbështesin agjendën e reformave të Shqipërisë në luftën kundër krimit financiar.

Forcimi i qëndrueshmërisë së sektorit publik ndaj korrupsionit, një bashkëfinancim i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Këshillit të Evropës, ka për qëllim të forcojë qëndrueshmërinë e institucioneve publike ndaj korrupsionit dhe të përmirësojë rikuperimin dhe menaxhimin e aseteve. Objektivat e tij përfshijnë forcimin e besimit të publikut dhe promovimin e ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara.

Lufta kundër pastrimit të parave në Shqipëri, një bashkëfinancim i Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshillit të Evropës, ka për qëllim të forcojë parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizit përmes një qasjeje strategjike, të bazuar në risk, duke synuar si autoritetet publike ashtu edhe sektorin privat.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga Këshilli i Evropës, ambasada zvicerane, institucionet publike shqiptare dhe organizata të shoqërisë civile. Ai shërbeu si një mundësi për të prezantuar objektivat strategjike të projekteve, fushat kryesore të ndërhyrjes, si dhe mbështetjen që projektet pritet të ofrojnë për institucionet shqiptare në fushën e antikorrupsionit, luftës kundër pastrimit të parave, dhe forcimit të rikuperimit dhe menaxhimit të aseteve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, theksoi se dy projektet mbështesin përpjekjet e reformuese të Shqipërisë duke forcuar zbatimin efektiv të kuadrit ligjor në fushën e integritetit dhe luftës kundër pastrimit të parave. Ai ritheksoi se progresi i qëndrueshëm varet nga rezultatet që institucionet arrijnë në praktikë, në përputhje me standardet evropiane dhe aspiratat evropiane të Shqipërisë.

Ambasadorja zvicerane, SH.E. Ruth Huber, theksoi se një sistem efektiv i luftës kundër pastrimit të parave e mbron ekonominë, mbështet konkurrencën e drejtë dhe është thelbësor për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Ajo rikonfirmoi angazhimin e Zvicrës si një partner i angazhuar për zhvillimin e  Shqipërisë, duke thënë se “Ne besojmë se të investosh në integritet, transparencë dhe në sundimin e ligjit është të investosh në të ardhmen e Shqipërisë”.

Diskutimet në panele trajtuan aspektet kyçe të përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar kuadrin e saj antikorrupsion dhe luftën kundër pastrimit të parave. Shkëmbimet u përqendruan tek kalimi nga instrumentet individuale të integritetit drejt sistemeve më koherente të integritetit, si dhe në zhvillimet e fundit dhe mësimet e nxjerra nga shtetet anëtare të BE-së në fushën e rikuperimit, menaxhimit dhe ripërdorimit social të aseteve të konfiskuara kriminale. Diskutimet gjithashtu theksuan standardet në zhvillim kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe pasojat e tyre në nivel kombëtar, me fokus të veçantë tek mbikëqyrja e bazuar në risk e biznesve dhe profesioneve jofinanciare, dhe praktikave të mira në këtë fushë.

Ky aktivitet theksoi edhe njëherë angazhimin e përbashkët të Këshillit të Evropës, partnerëve zviceranë dhe aktorëve shqiptarë për bashkëpunim të qëndrueshëm në mbështetje të reformave të vazhdueshme në Shqipëri.

Tiranë, Shqipëri 30 janar 2026
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail