Back Komisioni i Venecias: Edhe nëse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve vendore, shkarkimi mund të mos jetë i justifikuar, ndërsa projekt-ligjit për të drejtat pronësore i mungon qartësia dhe saktësia

Komisioni i Venecias: Edhe nëse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat me shtyrjen e zgjedhjeve vendore, shkarkimi mund të mos jetë i justifikuar, ndërsa projekt-ligjit për të drejtat pronësore i mungon qartësia dhe saktësia

Në sfondin e një procedure ekzistuese për shkarkimin e Presidentit shqiptar Ilir Meta për shtyrjen e zgjedhjeve vendore përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve vendore, ekspertët kushtetues të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin e tij.

Në opinionin e miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Kuvendi do të duhej të miratojë legjislacion të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet.

Në përgjigje të krizës politike në vend dhe një bojkoti zgjedhor nga disa parti të mëdha politike, Presidenti fillimisht anuloi dhe më pas shtyu zgjedhjet vendore. Edhe nëse Kuvendi do të konstatonte se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias vë në dyshim nëse ky veprim ishte i një karakteri të tillë i nevojshëm për të vërtetuar nje "shkelje serioze".

Ekspertët nënvizojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë ndaj Dekreteve të Presidentit përpara gjykatës.

Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetues si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë se edhe nëse Kuvendi do të përcaktonte seriozitetin e shkeljeve, kjo nuk duhet domosdoshmërisht të çojë në shkarkim, duke marrë parasysh fuqinë e Seancës Plenare të Kuvendit për të marrë parasysh qëllime të tjera kushtetuese, siç janë ruajtja e kontrolleve dhe ekuilibrave dhe stabilitetit në vend. Nëse Kuvendi do të vendoste në favor të shkarkimit, në fund do t'i takonte Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht nuk funksionon, të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit janë shkelje "serioze" që do të justifikonin shkarkimin e tij.

 

Projektligjit për të drejtat e pronësisë i mungon qartësia

Në një mendim të dytë për Shqipërinë, të kërkuar gjithashtu nga Kryetari i Kuvendit, dhe të miratuar sot, Komisioni i Venecias bën thirrje për rishqyrtimin e një projektligji për të drejtat e pasurive të paluajtshme, një temë e rregulluar përmes ligjeve të ndryshme të diskutueshme që prej dekadash. Ndërsa pranojnë qëllimin e ligjvënësit për të zgjidhur këtë çështje afatgjatë, ekspertët zbulojnë se projektligjit të propozuar (për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë) "i mungon qartësia dhe saktësia", siç është mungesa e hapave themelorë procedural dhe afatet e përcaktuara qartë për mbajtësit e titujve të pronësisë. Ekspertët janë të shqetësuar për fuqinë e tepruar rregullatore që i atribuohet Këshillit të Ministrave sipas projektligjit. Të kombinuara, këta elementë mund ta bëjnë projektligjin të papajtueshëm me Protokollin e Parë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën shqiptare.

Autoritetet ftohen të rishqyrtojnë projektligjin duke konsideruar rekomandimet e bëra në opinion dhe, nëse është nevoja, legjislacionin ekzistues ose të planifikuar në lidhje me të. Komisioni i Venecias sugjeron gjithashtu që Shqipëria mund të kërkojë mbështetje përmes bashkëpunimit ekzistues me Këshillin e Evropës në ri-hartimin e projekt-ligjit dhe zbatimin e tij të mëvonshëm.

Të dy projekt-opinionet u zbuluan në mediat shqiptare para se të miratoheshin, por vetëm opinionet e miratuara - tekstet e plota të të cilëve do të botohen në faqen e internetit të Komisionit të Venecias të hënën e javës së ardhshme - pasqyrojnë pozicionin zyrtar të Komisionit të Venecias.

 

Kontakt për median

Panos Kakaviatos, Zëdhënës, tel. + 33 3 90 21 50 27; mob. +33 6 98 37 64 04

 

 

headline Venice 11 tetor 2019
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page