Back Rishikimi i hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit – një mjet i fuqishëm për parandalimin e korrupsionit

Rishikimi i hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit – një mjet i fuqishëm për parandalimin e korrupsionit

45 këshilltarë ligjorë të Kuvendit të Shqipërisë, së bashku me përfaqësues të shërbimeve juridike të ministrive të përzgjedhura morën pjesë në dy trajnimet e njëpasnjëshme të organizuara për rishikimin e hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit.

Rishikimi i hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit është një instrument ligjor, i cili përfshin një rishikim të akteve ligjore në formë dhe përmbajtje, me qëllim identifikimin dhe minimizimin e rrisqeve të paqëllimshme të korrupsionit që këto akte ligjore mund të lehtësojnë kur zbatohen.

Gjatë trajnimit, zyrtarët publik, përgjegjës për hartimin e legjislacionit në institucionet e tyre përkatëse, u prezantuan me konceptet kryesore që lidhen me këtë intrument ligjor dhe u njohën me praktikat e juridiksioneve të vendeve të tjera që kanë zhvilluar mjete metodologjike në këtë fushë.

Si tema diskutimi gjatë trajnimit u përfshinë gjithashtu edhe mjete të tjera kundër korrupsionit, si dhe lidhjet midis lobimit dhe instrumentit të rishikimit të hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit. Prezantimet u ilustruan me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe me raste specifike kur rishikimi i hapësirave ligjore për mitigimin e korrupsionit në hartimin e legjislacionit ka penguar miratimin e ligjeve të hartuara me synim për t’i shërbyer një situate apo një subjekti të caktuar.

Këto aktivitete për rritjen e kapaciteteve të autoriteteve publike shqiptare u organizuan në kuadër të Veprimit kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri, pjesë e “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe i Këshillit të Evropës i cili synon të ndihmojë institucionet përfituese në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë për të respektuar standardet e Këshillit të Evropës dhe të drejtën e Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit.

 

 

 

Tiranë, Shqipëri 6-9 shtator 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page