Back Dunja Mijatović: Shqipëria duhet të rrisë mbrojtjen e fëmijëve dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara

©Albania/Beci/2018

©Albania/Beci/2018

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović, përfundoi sot vizitën e saj pesë-ditore në Shqipëri, e cila u përqendrua në të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe aksesin në ndihmë juridike falas.

Lidhur me të drejtat e fëmijëve, Komisionerja përshëndeti angazhimin e autoriteteve për të siguruar mbrojtje më të mirë të fëmijëve përmes legjislacionit që përmban të drejtat e nevojshme të njeriut dhe masat kundër diskriminimit, përfshirë ligjin e 2017-ës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Ajo thekson nevojën për një zbatim më efektiv të legjislacionit ekzistues dhe një bashkëpunim më të mirë ndërmjet niveleve të ndryshme të autoriteteve përgjegjëse.

Përsa i përket dhunës ndaj fëmijëve, në veçanti dhunës në shkolla, një numër masash janë planifikuar ose po planifikohen nga autoritetet për të trajtuar këtë çështje. "Jam e kënaqur që ekziston një konsensus i gjerë i të gjithë aktorëve, se dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e ndërgjegjësimit është e nevojshme për të ndryshuar qëndrimet shoqërore se dhuna ndaj fëmijëve si një mënyrë për disiplinimin e tyre është e pranueshme." Komisioneri gjithashtu i inkurajon autoritetet që të vazhdojnë të trajtojnë bullizmin dhe dhunën midis bashkëmoshatarëve, të cilat duket se janë të përhapura në shkolla. Për më tepër, u theksuan nga Komisionerja edhe çështjet e ngritjes së kapaciteteve dhe trajnimi i profesionistëve të arsimit në parandalimin e rasteve të dhunës, duke përfshirë dhunën seksuale dhe atë të fëmijëve që dëshmojnë dhunën në familje.

Duke vënë në dukje se legjislacioni shqiptar parashikon përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsimin e zakonshëm pa anjë lloj diskriminimi, Komisionerja u bën thirrje autoriteteve të ruajnë përpjekjet e tyre në zbatimin e legjislacionit përkatës me qëllim që të sigurojnë që të gjithë fëmijët, veçanërisht fëmijët romë dhe egjiptianë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, të përfshihen në shkollat ​​e zakonshme. Komisionerja thekson rolin e rëndësishëm të mësuesve ndihmës në këtë drejtim dhe mirëpret angazhimin e autoriteteve për rritjen e numrit të mësuesve të tillë, që aktualisht është në 620, në mënyrë që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë mbështetjen e duhur për përfshirje. Gjatë vizitës së saj në shkollën speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara "3 Qershori", Komisionerja u informua se katër fëmijë të asaj shkolle janë përfshirë me sukses në arsimin e zakonshëm gjatë këtij viti shkollor. Kjo tregon se përfshirja mund të funksionojë në praktikë kur ka vullnet, përkushtim profesional dhe mbështetjen e duhur. Në kopshtin "Guerrille" në Shkodër, gjithashtu i vizituar nga Komisionerja , ajo pa se si puna e përbashkët e prindërve nga komuniteti rom dhe më gjerë, si dhe përkushtimi i profesionistëve të arsimit, të përforcuara nga mbështetja e bashkësisë lokale, rezultuan në integrimin e suksesshëm të fëmijëve rom në arsim.

Pas vizitës së saj në institucionin shtetëror për përkujdesje sociale "Shtëpia e Fëmijës", në Shkodër, ku fëmijët janë vendosur kryesisht për shkak të varfërisë së prindërve të tyre, Komisionerja inkurajon autoritetet që të lëvizin drejt deinstitucionalizimit të plotë të fëmijëve nga kujdesi shtetëror, duke u siguruar ndërkohë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa mbrojtje dhe kujdes të përshtatshëm dhe që interesi më i mirë i fëmijës gjithmonë të merret në konsideratë në mënyrë të duhur. Komisionerja gjithashtu kujton se fëmijët nuk mund të largohen nga kujdestaria e prindërve të tyre vetëm për shkak të kushteve socio-ekonomike të familjes. Autoritetet duhet, përkundrazi, të sigurojnë mbështetjen e duhur për familjet.

Përsa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pranuar progresin e bërë në këtë fushë, Komisionerja u bën thirrje autoriteteve të caktojnë një afat kohor për bërjen e ndërtesave publike, veçanërisht shkollave, të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe për të siguruar që rregullat që përcaktojnë detyrimet në lidhje me aksesin për ndërtimin e ndërtesave të reja, të respektohen gjithmonë. Komisionerja gjithashtu thekson rëndësinë e përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara në të gjitha proceset vendimmarrëse që i prekin ata. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje me interes bërjen funksionale të Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar, një organ këshillues i qeverisë, i cili përfshin personat me aftësi të kufizuara dhe shoqatat e tyre.

Komisionerja vërejti se deinstitucionalizimi i personave me aftësi të kufizuara nuk ka përparuar. "Personat me aftësi të kufizuara duhet të gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre për të jetuar në mënyrë të pavarur dhe të përfshihen në komunitet. Autoritetet duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë një plan udhëzues për deinstitucionalizimin dhe të ofrojnë shërbime të bazuara në komunitet, në vend që të vazhdojnë të përdorin institucionet rezidenciale. Megjithatë, ky proces duhet të jetë i planifikuar me kujdes, për të shmangur lënien e çdo personi me aftësi të kufizuara pa mbështetjen e nevojshme për jetesë të pavarur pas largimit të tij nga një institucion. Autoritetet duhet gjithashtu të ndryshojnë legjislacionin në mënyrë që të ndalojnë privimin e personave me aftësi të kufizuara nga aftësia e tyre ligjore duke filluar me heqjen e menjëhershme të kujdestarisë plenare, për të bërë të mundur që ata gëzojnë aftësi ligjore në baza të barabarta me të tjerët, në të gjitha aspektet e jetës."

Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e qasjes në ndihmë juridike falas për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, Komisionerja përshëndeti miratimin në vitin 2017 të Ligjit të ri mbi Ndihmën Ligjore Falas, i cili zgjeron fushën e përfituesve të ndihmës juridike dhe bën thirrje për zbatimin e tij efektiv dhe të menjëhershëm.

Raporti i Komisioneres për këtë vizitë do dalë së shpejti.

 

Kontakt për median në Zyrën e Komisioneres:
Gaëlle BAUSSON - +33(0)6 66 27 24 41 – [email protected]
www.commissioner.coe.int - Twitter @CommissionerHR - Facebook - Youtube

 

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut është një institucion i pavarur, jo gjyqësor në kuadër të Këshillit të Evropës, i mandatuar për të promovuar ndërgjegjësimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në 47 shtetet anëtare të Organizatës. E zgjedhur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Komisionerja e tanishme, Znj. Dunja Mijatović, mori funksionin e saj më 1 prill 2018.

 

headline Tiranë 25 Maj 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page