Back Shqipëria shënon 30 vjet në Këshillin e Evropës: Një rrugëtim transformimi demokratik dhe reformash të vazhdueshme

Shqipëria shënon 30 vjet në Këshillin e Evropës: Një rrugëtim transformimi demokratik dhe reformash të vazhdueshme

Më 13 korrik 2025, Shqipëria shënon 30-vjetorin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, duke përkujtuar tri dekada transformimi, reformash dhe përkushtimi ndaj vlerave evropiane dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Që prej anëtarësimit në vitin 1995, vendi ka bërë përparim të ndjeshëm në forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës — shtyllat kryesore të Këshillit të Europës.

E dalë nga dekada izolimi dhe sundimi autoritar, anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës përbënte një hap vendimtar drejt tranzicionit demokratik. Gjatë 30 viteve të fundit, vendi ka përfituar nga bashkëpunimi i ngushtë me Këshillin e Evropës në fusha kyçe si reforma në drejtësi, qeverisja vendore, liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave. Arsimi dhe pjesëmarrja e të rinjve mbeten gjithashtu fusha të rëndësishme bashkëpunimi.

Gjatë këtij rrugëtimi, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka luajtur një rol qendror në mbështetjen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke përafruar legjislacionin dhe praktikat kombëtare me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ndërkohë, organe monitoruese si Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO), Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) dhe Komisioni i Venecias kanë ofruar udhëzime dhe ekspertizë të vyer për të konsoliduar kuadrin ligjor dhe institucional të vendit.

Shqipëria ka ratifikuar mbi 70 konventa të Këshillit të Evropës, përfshirë instrumente kyçe mbi barazinë gjinore, trafikimin e qenieve njerëzore dhe parandalimin e torturës. Përmes nismave rajonale dhe programeve të përbashkëta me Bashkimin Europian, prania e Këshillit të Evropës ka kontribuar në përmirësime konkrete në qeverisje, pjesëmarrjen qytetare dhe sistemin e drejtësisë.

Ky moment historik nuk është vetëm një mundësi reflektimi mbi arritjet, por edhe një rast për të ripohuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj vlerave të përbashkëta të Këshillit të Evropës. Teksa vendi vijon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli i Evropës mbetet një partner i palëkundur në udhëheqjen dhe mbështetjen e reformave që sjellin përfitime për të gjithë qytetarët.

Rrugëtimi vazhdon, me një vendosmëri të përtërirë për të çuar përpara qëndrueshmërinë demokratike dhe për të mbështetur të drejtat dhe liritë e çdo individi.Bottom of Form

8 July 2025
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page


 

Kontakte

 Sheshi Skenderbej,
Pallati i Kulturës, kati i 3-të,
Tiranë

 +355 4 45 40 201

E-mail