Back Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të luftuar pastrimin e parave, thotë raporti i Këshillit të Evropës

Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të luftuar pastrimin e parave, thotë raporti i Këshillit të Evropës

Në një raport të botuar sot, organi i Këshillit të Evropës kundër pastrimit të parave, MONEYVAL, u bën thirrje autoriteteve shqiptare të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e pasurive të tyre lidhur me vepra penale që gjenerojnë të ardhura, dhe të trajtojnë rreziqet që lidhen me financimin e terrorizmit.

Raporti bën vlerësimin gjithëpërfshirës të efektivitetit të sistemit shqiptar kundër pastrimit të parave dhe atij kundër financimit të terrorizmit (AML/CFT) dhe nivelit të tij të pajtueshmërisë me rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar. Bazuar në rezultatet e vlerësimit të tij, MONEYVAL vendosi të aplikojë procedurën e tij të ndjekjes së zgjeruar për Shqipërinë.

MONEYVAL pranon se autoritetet shqiptare kanë një njohje mjaft të mirë të rreziqeve që pastrimi i parave përbën për ekonominë formale në vend dhe kanë mekanizma kombëtare të koordinimit për hartimin e politikave për ti adresuar ato. Megjithatë, këto mekanizma nuk kanë provuar të jenë plotësisht efektive dhe ka disa fusha që do të përfitonin nga një analizë më e detajuar e kërcënimeve të paraqitura.

Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. Shpesh i lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por deri më tani zbatimi i ligjit i ka kushtuar vëmendje të kufizuar targetimit të pastrimit të parave lidhur me korrupsionin. Një reformë e rëndësishme gjyqësore është duke u zbatuar për të adresuar më mirë rreziqet e korrupsionit të përhapura në vend.

Autoritetet kompetente përdorin sistematikisht raporte të Drejtorisë së Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe një gamë të gjerë burimesh të tjera informacioni për të inicuar dhe lehtësuar hetimet për pastrimin e parave, veprat penale të ndërlidhura dhe financimin e terrorizmit. Hetime paralele aplikohen sistematikisht në rastet e pastrimit të parave dhe në procedurat e tjera penale. Megjithatë, këto hetime rrallë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave të ndërlidhura me veprat e rëndësishme të gjenerimit të të ardhurave janë kryesisht pezulluar ose hedhur poshtë nga prokuroria.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlerat e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket se janë në përpjesëtim me nivelin e kriminalitetit në vend.

Përsa i përket financimit të terrorizmit, MONEYVAL vëren se perceptimi dhe kuptimi i rreziqeve të lidhura me të nuk duket se adresojnë në mënyrë të duhur karakteristikat e aktiviteteve të mundshme të financimit të terrorizmit në vend dhe në rajon. Nuk ka qasje sistematike për të identifikuar dhe hetuar aspektet e financimit të shkeljeve të lidhura me terrorizmin. Në lidhje me zbatimin e sanksioneve financiare të synuara ka disa mangësi teknike, të cilat mund të pengojnë efektivitetin e përputhshmërisë së Shqipërisë.

Raporti thekson se Banka e Shqipërisë ka një të kuptuar të mirë të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe kohët e fundit ka përmirësuar sistemin e vet të raportimit jashtë vendit për të mbështetur vlerësimin e saj për rreziqet nga subjekte individuale. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është në proces të kalimit në një qasje të bazuar në rrezik në lidhje me mbikëqyrjen, por veprimtaria e saj inspektuese e ndërmarrë deri më tani ka qenë shumë e kufizuar. Megjithëse janë bërë disa përpjekje të rëndësishme, as Banka e Shqipërisë dhe as Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme një perspektivë të bazuar në rrezik kur shqyrtojnë kërkesat për licenca nga institucionet financiare, apo të mbajnë një qasje sistematike për monitorimin e tyre në mënyrë që të zbusin plotësisht rrezikun e infiltrimit kriminal.

Së fundi, raporti vëren se Shqipëria thuhet se ka ofruar ndihmë të ndërsjellë ligjore në nivel të duhur bashkëpunimi. Megjithatë, mekanizmi i përgjithshëm ligjor për ekzekutimin e kërkesave të ndihmës së ndërsjellë juridike të huaj ka disa mangësi që mund të dëmtojnë efektivitetin e tyre.

***

Komiteti i Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) është organ monitorues i Këshillit të Evropës i ngarkuar me detyrën e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën e bërjes së rekomandimeve tek autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.

Vlerësimi i sistemit kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit të Shqipërisë u bazua në Rekomandimet e Task Forcës Financiare të vitit 2012 dhe u përgatit duke përdorur Metodologjinë e vitit 2013.

 

 

 

headline Strazburg 17 dhjetor 2018
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page