Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rehabilitimi i burgjeve në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Dënimit Çnjerëzor dhe Poshtërues (KPT) mbetet në fokusin e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Projekti mbi të Drejtat e Njeriut në sektorin e burgjeve diskutoi në takimin e tij të tretë të Komitetit Drejtues lidhur me progesin e arritur në mbështetjen e kritereve profesionale dhe të ndershmërisë për rekrutimin e stafit të burgjeve, standardet e Këshillit të Evropës dhe ato europiane në kapacitetin e stafit si edhe përmirësimet në sektorin shëndetësor. Këshilli i Evropës shprehu angazhimin e tij për të dhënë mbështetje për të themeluar Institucionin Psikiatrik Mjeko-Ligjor dhe të pajisë stafin mjekësor me njohuritë e nevojshme dhe aftësitë praktike.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Ambasadës Suedeze, si edhe të OJF-ve Meridia, Qendra Sole dhe Shoqata Shqiptare e Psikologëve morën pjesë në takimin e tretë të Komitetit Drejtues të Projektit “Forcimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të te burgosurve në Shqipëri” në kuadër të programit Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Ata vlerësuan progesin e arritur me zbatimin e projektit dhe diskutuan hapat e mëtejshme të nevojshme për të adresuar rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe KPT-së. Në këtë takim u miratua plani i aktiviteteve për gjashtë muajt e ardhshëm dhe u nxit bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe inisiativa të donatorëve të tjerë që angazhohen në reformën e burgjeve.