Back Rritja e kapaciteteve të Avokaturës së Shtetit në zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së

Rritja e kapaciteteve të Avokaturës së Shtetit në zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së

35 avokatë të shtetit nga zyrat qendrore dhe rajonale të Tiranës, Durrësit dhe Korçës ishin pjesë e aktivitetit, të zhvilluar në Pogradec më 27-28 maj, për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe të drejtës së pronësisë. Trajnimi i organizuar në kuadër të projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetje për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe për lehtësimin e ekzekutimit të vendimeve të GJEDNj në Shqipëri (D-REX II)”, synoi të angazhojë në mënyrë aktive stafin e Avokaturës të Shtetit dhe përfaqësuesit nga zyrat rajonale për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth sfidave kryesore dhe përpjekjeve të ndërlidhura për një zbatim efikas të masave individuale dhe të përgjithshme të vendosura nga GJEDNJ në vendimet e saj për Shqipërinë.

Diskutimet u drejtuan nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Odise Moçka, me mbështetjen e dy pedagogëve të nderuar të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, duke u fokusuar në disa vendime të GJEDNJ-së si Beshiri kundër Shqipërisë, Strazimiri kundër Shqipërisë, Kola dhe Bara kundër Shqipërisë si dhe legjislacionin kyç, duke theksuar rolin specifik të Avokatit të Shtetit në lidhje me regjistrimin e pronave dhe finalizimin e proceseve kalimtare të pronësisë.

Avokatura e Shtetit është një nga përfituesit dhe partnerët kryesorë të projektit D-REX II. Pavarësisht rolit këshillues dhe përfaqësues, Avokatura e Shtetit ushtron funksionin e Agjentit të Qeverisë Shqiptare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për këtë arsye roli i këtij institucioni është parësor në ekzekutimin e vendimeve, si dhe në koordinimin dhe raportimin për zbatimin e rekomandimeve të GJEDNJ-së me të gjitha institucionet shqiptare. Gjatë vitit 2021, GJEDNJ trajtoi 224 kërkesa në lidhje me Shqipërinë, duke dhënë 3 vendime, 2 prej të cilave konstatuan të paktën një shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Projekti D-REX II është pjesë e programit përbashkët të Bashkimit Evropian/Këshillit të Evropës “Intrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”, që u mundëson përfituesve të përmbushin reformat në fushat e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në përputhje me standardet evropiane.

Shqipëri 30 maj 2022
  • Diminuer la taille du texte
  • Augmenter la taille du texte
  • Imprimer la page